Vendosni fjalën kyçe....

SHBA godet pozicionet e ISIS-it në Siri pas vrasjes së dy ushtarëve amerikanë



Shtetet e Bashkuara, së bashku me forcat aleate, kanë goditur disa pozicione të grupit militant të ashtuquajtur Shteti Islamik (ISIS) në Siri, njoftoi të shtunën ushtria amerikane për DW.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet ajrore u kryen rreth orës 17:30 GMT dhe ishin në përgjigje të një prite vdekjeprurëse të ndodhur në fund të muajit dhjetor, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil. CENTCOM bëri me dije se disa objektiva të ISIS-it u goditën, pa dhënë detaje mbi numrin e viktimave.

Pritja ndaj forcave amerikane ndodhi më 13 dhjetor në zonën e Palmirës, ku, përveç viktimave, mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë. Pas këtij sulmi, administrata e presidentit Donald Trump nisi operacionin e quajtur “Hawkeye Strike”.

“Mesazhi ynë mbetet i qartë: nëse dëmtoni ushtarët tanë, do t’ju gjejmë dhe do t’ju eliminojmë kudo në botë, pavarësisht përpjekjeve për t’iu shmangur drejtësisë,” deklaroi CENTCOM.

Këto nuk janë goditjet e para hakmarrëse. Më 19 dhjetor, forcat amerikane kryen një tjetër operacion të gjerë, duke goditur rreth 70 objektiva të ISIS-it në Siri qendrore.

Forcat amerikane janë të pranishme në Siri prej vitesh, si pjesë e operacioneve kundër ISIS-it. Fillimisht ato bashkëpunuan kryesisht me forcat kurde në veri të vendit, ndërsa së fundmi Shtëpia e Bardhë ka shtuar kontaktet edhe me qeverinë e re siriane, të udhëhequr nga presidenti Ahmed al-Sharaa.