
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i bëri thirrje qytetarëve që kudo të shohin ministrat e qeverisë Rama t’i godasin ata me vezë dhe domate, duke i konsideruar shkaktarët kryesorë të përmbytjeve të fundit.
Nga tryeza e opozitës me forca politike dhe shoqërinë civile, Berisha akuzoi kryeministrin Rama për shkelje të drejtësisë në rastin e Ballukut dhe për keqmenaxhim të burimeve dhe fondet publike.
“Rama ka përqendruar çdo gjë në duart e tij, ka përvetësuar taksat e qytetarëve dhe ka zgjedhur të përfitojnë disa individë pa taksa. Nuk ka një kryeministër në botë që të ketë bërë këto që bën ai”, tha Berisha.
Ai kujtoi periudhën 2005–2013, duke theksuar se çdo ministër, përfshirë Fatmir Mediun dhe Ilir Metën, kishte dorëzuar vetë imunitetin kur prokuroria kishte kërkuar hetime. “Sot, drejtësia përdoret për të bllokuar drejtësinë. Është një grusht shteti”, shtoi Berisha.
Duke folur për situatën e përmbytjeve, ai akuzoi qeverinë se dy hidrovorët e Durrësit dhe Hamallës janë përdorur në mënyrë të papërgjegjshme, duke çuar qytetin drejt përmbytjeve “në mënyrë apokaliptike”.
“Fondet rezervë duhet t’u shkojnë qytetarëve, por ai nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme. I bëj thirrje çdo shqiptari: goditni ministrat me vezë dhe domate. Këta janë shkaktarët kryesorë”, tha Berisha.