
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, ka bërë të ditur sot se akset rrugore kombëtare në Shqipëri janë funksionale, pavarësisht bllokimit të aksit Qukës-Qafë Plloçë pas motit të keq të ditës së djeshme.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Balluku theksoi se problematika është regjistruar vetëm në rrugët rurale, të cilat janë përgjegjësi e bashkive për mirëmbajtjen e tyre.
Sipas ministres, ka pasur edhe zbritje të inerteve nga skarpatet e maleve në rrugët e konsoliduara, si në rastin e Shkallës së Zezë në segmentin Gjirokastër-Tepelenë. Ajo vuri në dukje se shumë zjarre të mëparshme dhe mungesa e bimësisë në jug e kanë vështirësuar situatën për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Akset rrugore janë të gjitha funksionale, i referohem akseve kombëtare. Ka pasur problematika vetëm në akset rurale që mirëmbahen nga bashkitë. Ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve edhe rrugët e konsoliduara ndër vite. Fakti që kemi patur shumë zjarre dhe mungesë bimësie në jug e ka bërë situatën më sfiduese për mirëmbajtjen e rrugëve”, tha Balluku.