Vendosni fjalën kyçe....

Goditja që të kujton kush komandon


Nga Olsi Bakalli

Ka momente në historinë botërore kur hipokrizia vesh kostumin e moralit dhe del për shëtitje në bulevard. Dhe gjithçka duket kaq e natyrshme, saqë mezi e dallon kush e mban shkopin e orkestrës. Sulmi amerikan ndaj presidentit të Venezuelës është pikërisht një nga ato skena ku Perandoria, pak e lodhur, pak nostalgjike, vendos të rikujtojë audiencën se ende komandon. Dhe po, sigurisht, gjithçka në emër të demokracisë, lirive dhe përse jo, stabilitetit monetar global. Sepse kur dollari merr ftohje, Amerika merr temperaturë.

Le ta pranojmë: në një botë ku diskursi diplomatik po kthehet në poezi abstrakte, ndërhyrja e drejtpërdrejtë duket si një rikthim tek forma klasike. Një lloj neoklasicizmi gjeopolitik. Në analizat e shtypit perëndimor, narrativa ndërtohet rreth një aksiome të thjeshtë: Venezuela është shembulli ideal i “mallkimit të burimeve natyrore”.

 Nafta si dhuratë e Perëndisë që u kthye në mallkim, një version politik i mitit të Midasit, por pa arin dhe me inflacion galopant. A nuk është ky, thonë analistët, një rast studimor për çdo manual të ekonomisë zhvillimore? Ku shteti populist, me retorikë anti-perëndimore, konsumon kapitalin kombëtar si adoleshent me kartë krediti?

Dhe mbi të gjitha: kush guxon të vërë në pikëpyetje dollarin si monedhë shkëmbimi global? Një herezi monetare që kërkon ekskomunikim, jo debat akademik. Sepse dollarizimi nuk është thjesht sistem monetar; është arkitektura politike e botës post-1945. Të luash me të, është si të zhvendosësh kolonat e Partenonit dhe të pretendosh se struktura s’do të dridhet.

Në këtë sfond, ndërhyrja amerikane paraqitet si një terapi shoku. Një ndërhyrje kirurgjikale, jo për shkaqe emocionale, por për stabilitetin e globit – të paktën kështu do thoshte manuali i Realpolitik-ut. A nuk ishte Henry Kissinger ai që do buzëqeshte me përmbajtje para kësaj skene? Sigurisht, të gjitha këto në emër të “rendit liberal ndërkombëtar”, ku fjala “liberal” ka humbur prej kohësh kuptimin e vet origjinal dhe tashmë funksionon si dekor.

Por pse pikërisht Amerika Jugore? Sepse aty është shtëpia e vjetër e Doktrinës Monroe – periferia e zgjedhur për të testuar nervat e Perandorisë. Nëse aty Amerika nuk tregon muskuj, ku tjetër? A do të duhej të priste që ndonjë aleancë e paqartë energjetike të shndërrohej në një eksperiment monedhe alternative? Apo që ndikimi rus e kinez të bëhej pjesë e peizazhit latino-amerikan si samba dhe kafeja?

Në shtypin konservator amerikan, argumenti shpaloset elegant: ky ishte një sinjal, një “wake-up call” për të gjithë ata që besojnë se epoka amerikane ka perënduar. Një mesazh i thjeshtë: “Ne jemi back on track” (Përkthyer: nëse keni harruar hierarkitë, ja ku jemi për t’ua kujtuar.”

Sigurisht, në analizat e majta kritike gjen aktorët klasikë: imperializëm, hegjemonizëm, koorporata, Wall Street. Por edhe këtu ekziston një ironi e thellë. A nuk është pikërisht ky imperializëm që, si një baba autoritar, rikthen rregullin në oborrin e shtëpisë kur fëmijët bëhen shumë kreativë me ekonominë? Pyetje retorike, natyrisht. Sepse edhe kritikët e sistemit shpesh harrojnë që globalizmi funksionon si ekosistem: kush del nga orbita, rrezikon të mbetet në vakum.

Le të jemi të drejtë: Venezuela është kthyer në laborator të dështimit ekonomik dhe politik. Inflacion, varfëri, emigracion masiv, një eksod modern që të kujton se si shteti, kur kapet peng nga një elitë mesianikësh, shndërrohet në makineri shkatërrimi social. Dhe kur ky shtet fillon të sfidojë hegjemoninë monetare globale, duket sikur kërkon të imitojë Don Kishotin në duel me mullinjtë e erës. Por ndryshimi është se këtu mullinjtë quhen Federal Reserve dhe Departamenti i Thesarit.

Në këtë kontekst, ndërhyrja amerikane paraqitet si një akt higjienik, si dezinfektim politik në një zonë ku virusi anti-perëndim po përhapej me ritme epidemiologjike. Çfarë bën sistemi imun kur ndien kërcënim? Reagon. Dhe Amerika, si çdo superfuqi që respekton veten, nuk mund të fshihet në qoshe duke cituar Kant-in.

A është kjo ndërhyrje demokratike? Pyetje e bukur për seminaret e universitetit. Në praktikë, demokracia shpesh vjen në paketë me interesa strategjike. Dhe interesat strategjike në Amerikën Jugore nuk janë luks: janë aksiomë. Kontrolli mbi narrativën, mbi burimet, mbi rrjetet politike është një formë vaksinimi gjeopolitik. Nëse nuk e bën ti, do ta bëjë dikush tjetër. Dhe “dikush tjetër” nuk flet anglisht.

Natyrisht, ka nga ata që thonë: “Pse duhet Amerika të ndërhyjë?” Një ironi tragjike: ata që ankohen për ndërhyrje janë shpesh produkt i një bote të ndërtuar pikërisht nga ndërhyrjet amerikane. Rend, stabilitet, rrjete financiare, qarkullim kapitali; të gjitha janë elemente të një sistemi ku Amerika është arkitektja. Të habit fakti që dikush mendon se ky sistem mund të funksionojë si komunë kooperative.

Në fund, ndërhyrja shërben edhe për konsum të brendshëm amerikan: publikut i duhet treguar se shteti federal nuk është një dinozaur i lodhur që endet i hutuar mes Silicon Valley dhe Ëall Street. Jo, Perandoria di ende të godasë. Edhe kur goditja paketohet si “operacion kirurgjikal” për të çliruar një popull të lodhur nga autoritarizmi.

A është gjithçka e pastër moralisht? Sigurisht që jo. Por prej kur politika ndërkombëtare është kurs etike? Aristoteli do të qeshte me këtë naivitet. Hobbes do të tundte kokën me miratim: rendi dhe fuqia ecin gjithmonë krah për krah.

Nëse burimet natyrore janë mallkim, atëherë ndërhyrja është një mënyrë për të menaxhuar mallkimin. Nafta nuk është thjesht lëndë djegëse; është gjaku simbolik i sistemit global. Kush përpiqet ta kanalizojë atë jashtë arterieve të tregjeve të dolarizuara, rrezikon infarkt financiar.

Dhe kështu, ndërhyrja amerikane ndaj presidentit të Venezuelës bëhet një akt i logjikshëm brenda një bote që funksionon sipas ligjeve të gravitetit gjeopolitik. Ndoshta cinik, ndoshta brutal, por tmerrësisht koherent. Ajo çfarë ne shohim si shkelje sovraniteti, të tjerët e lexojnë si mbrojtje të arkitekturës globale. Dhe arkitektura, si çdo godinë, ka nevojë për riparime periodike. Sidomos kur ndonjë qeveri periferike vendos të luajë rolin e arkitektit alternativ.

Pyetja që mbetet pezull është: a ka ndokush realisht interes për Venezuelën si shoqëri, si popull, si subjekt historik? Apo thjesht si terren simbolik ku Perandoria demonstron se ende i zë fjala vend? Ironia e madhe qëndron këtu: shpëtimi vjen gjithmonë në paketë me kontrollin.

Në fund të fundit, ndërhyrja amerikane nuk është asgjë më shumë se një “mesazh dashurie” për botën: mos e ngatërroni demokracinë me aventurizmin monetar. Sepse kur dollari tundet, bota dridhet. Dhe kur bota dridhet, Amerika  si çdo prind autoritar, vendos rregull në shtëpi.

A është kjo e drejtë? Ndoshta jo. A është e pashmangshme? Më shumë po se jo.

Sepse, le ta themi hapur: Perandoria nuk ikën kurrë vërtet. Ajo thjesht rikujton, herë pas here, se është ende këtu.