Vendosni fjalën kyçe....

Moti i paqëndrueshëm përfshin vendin, reshje shiu, stuhi në veri e jug dhe borë në zonat malore



Ditën e hënë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme, me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën veriperëndimore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës, deri në orët e mesditës priten reshje me intensitet mesatar deri të lartë, kryesisht në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Nga orët e pasdites deri në mbrëmje vonë, qarqet Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje shiu me intensitet deri të lartë, kryesisht në formën e rrebesheve dhe shtrëngatave.

Në zonat malore, veçanërisht në Alpe dhe në relievet e verilindjes, në lartësitë mbi 1500 metra, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare rreth 12 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdetare, sidomos në jug, ajo pritet të arrijë deri në 24 m/s. Valëzimi i detit do të jetë i forcës 4 deri në 6 ballë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat e prekura nga reshjet intensive dhe era e fortë.