
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se Shtetet e Bashkuara janë “gati dhe të përgatitura për veprim” nëse autoritetet iraniane vazhdojnë vrasjen e protestuesve, përcjell JPost.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, herët të premten, Trump deklaroi se SHBA nuk do të qëndrojë indiferente ndaj dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve iranianë që protestojnë kundër regjimit.
Reagimi nga Teherani nuk ka munguar. Ali Larijani, këshilltar i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, tha se çdo ndërhyrje amerikane në çështjet e brendshme të Iranit do të sillte “kaos në të gjithë rajonin” dhe do të rrezikonte drejtpërdrejt interesat amerikane.
Protestat në Iran janë përhapur në disa qytete dhe universitete, si pasojë e krizës ekonomike, rënies së fortë të monedhës kombëtare dhe rritjes së kostos së jetesës. Gjatë ditëve të fundit janë konfirmuar edhe viktima. Sipas mediave dhe organizatave të të drejtave të njeriut, të paktën dy protestues janë vrarë nga forcat e sigurisë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë arrestuar.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se qeveria është e gatshme të dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve dhe ka kërkuar dialog, por situata mbetet e tensionuar.
Ndërkohë, figura të ndryshme ndërkombëtare kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë. Edhe ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi se populli iranian “meriton një jetë të lirë, pa diktaturë”.
Këto protesta konsiderohen si shfaqja më e madhe e pakënaqësisë publike në Iran që nga përplasja e shkurtër ushtarake me Izraelin në muajin qershor, ndërsa tensionet ndërkombëtare rreth Teheranit vazhdojnë të rriten.