Vendosni fjalën kyçe....

Tusk çon në parlamentin polak ligjin për përmirësimin e statusit të çifteve të së njëjtës gjini


Qeveria e Polonisë miratoi të martën një projektligj që prezanton “kontratat e bashkëjetesës” për çiftet që jetojnë së bashku, një masë kjo për njohjen e bashkimeve të së njëjtës gjini në një nga vendet e pakta të Bashkimit Evropian me pak të drejta për personat LGBT.

Kryeministri Donald Tusk, i cili mori detyrën në vitin 2023 me zotimin për të shfuqizuar politikat e partisë konservatore, të kritikuara nga Brukseli për cënim të demokracisë dhe të drejtave të minoriteteve, është përballur me vështirësi për të realizuar reformat mbi abortin dhe të drejtat LGBT.

Këto reforma kanë hasur në kundërshti nga partneri i tij konservator i koalicionit, PSL, dhe në kërcënime për veto nga dy presidentë radhazi të rreshtuar me partinë nacionaliste të krahut të djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit 2023.

“Ne po shkojmë në parlament me një projekt pajtues, për të cilin besojmë se ekziston një shumicë në dhomën e ulët dhe të lartë,” u tha gazetarëve pas mbledhjes së kabinetit Katarzyna Kotula, zyrtarja qeveritare që mbikëqyr çështjet e barazisë.

Projektligji do lejonte dy persona, pavarësisht gjinisë, të nënshkruajnë një kontratë bashkëjetese në një zyrë noteriale. Ai mbulon të drejtat e banimit, ushqimin, qasjen në informacionin shëndetësor dhe sigurimin shëndetësor, lejen për kujdes, deklaratat e përbashkëta tatimore dhe përjashtimet nga taksat.

Kjo masë nuk shkon deri në legalizimin e martesave të së njëjtës gjini, të cilat mbeten të ndaluara, shkruan Reuters.

Qeveria pro-evropiane e Tusk-ut shpreson se fushëveprimi i kufizuar i projektligjit do sigurojë miratimin e presidentit nacionalist Karol Nawrocki. Grupet LGBT shprehën zhgënjim, por thanë se kjo masë mund të jetë e vetmja me ndonjë mundësi për të kaluar në parlament.

“Ky nuk është një çast triumfi. Pas dy viteve të qeverisë së Donald Tusk, koalicioni qeverisës ka hartuar më në fund një propozim të përbashkët,” tha në një deklaratë Fushata Kundër Homofobisë pas publikimit fillestar të projektligjit.

“Ky nuk është projektligji për të cilin kemi luftuar ndër vite. Është një përgjigje e varfër ndaj pritshmërive të mëdha dhe e vetmja që, në gjendjen e tanishme, mund të ofrojë ndonjë lloj sigurie.”