Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet i djegur në një ambient banimi një person, rrethanat mbeten të paqarta



Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur pothuajse i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Sipas informacioneve paraprake, shërbimet zjarrfikëse janë njoftuar nga banorët e pallatit, të cilët kanë konstatuar erë të fortë djegieje dhe prani tymi. Pas mbërritjes në vendngjarje, zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke hapur me forcë qepenin e ambientit.

Brenda është gjetur një shtetas, i identifikuar si Edmond Angjeli, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, pothuajse i djegur dhe pa ndjenja. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ndodhej në gjendje kome dhe dyshohet se ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e policisë dhe urgjencës, ndërsa po kryhen veprimet hetimore për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar lidhur me atë nëse bëhet fjalë për aksident, vetëdjegie apo rrethana të tjera.