
Tre makina dhe tre motorë si dhe llogaritë bankare, i janë sekuestruar një personi të dënuar në Francë trafik lëndësh narkotike.
Sekuestrimi ka ardhur pas kërkesës së prokurorisë Shkodër, sipas së cilës dyshohet se ato janë blerë me lekë të përfituar nga veprimtaria kriminale.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, u sekuestruan automjetet dhe mjetet motorike të shtetasit B.B. dhe familjarëve të tij.
Nga hetimet rezultoi se, shtetasi B.B. ka qenë dënuar më parë nga autoritetet franceze për veprën penale te “Trafikimit të lëndëve narkotike” të parashikuar nga neni 283/a të Kodit Penal dhe pas verifikimeve përkatëse kanë ekzistuar dyshime se ky shtetas dhe familjarët e tij zotërojnë pasuri apo të ardhura, shpërpjesëtimorë, në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtari të ligjshme të deklaruara dhe as nuk përligjen prej tyre”, njofton Prokuroria e Shkodrës.
Mjetet e sekuestruara
-Automjeti “Mercedes Benz”, Modeli S600L në emër të Brigeno Binoshaj
-Automjeti “Volkswagen”, Modeli Golf 2.0 TDI, në emër të shtetasit G.B;
-Automjeti “Lancia”, Modeli Y, në emër të shtetases E.B;
-Motori “Piaggio”, Modeli Gilera, në emër të Brigeno Binoshaj
-Motori “Yamaha”, Modeli MT09, në emër të shtetasit Brigeno Binoshaj
-Motorri “Yamaha”, Modeli YP250R, në emër të shtetasit G.B;
-Të gjitha llogaritë bankare në emër të Brigeno Binoshajt dhe familjarëve të tij.”