Vendosni fjalën kyçe....

Anthony Joshua lëndohet në aksidentin fatal me dy viktima në Nigeri (Video)


Ish-kampioni britanik i botës për peshat e rënda në boks, Anthony Joshua, u përfshi në një aksident rrugor në shtetin Ogun të Nigerisë, ku mbetën të vrarë dy persona, njoftoi policia lokale të hënën.

Joshua, 36 vjeç, pësoi lëndime të lehta kur automjeti i tij u përplas me një makinë tjetër, tha Komanda e Policisë së Shtetit Ogun, duke shtuar se ai ishte dërguar në spital dhe se po hetohej shkaku i aksidentit.

Autoritetet e vendit thanë se pesë burra ishin përfshirë në aksidentin në autostradën Lagos-Ibadan. Joshua pësoi lëndime të lehta, dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë shpëtuan pa lëndime, tha FRSC shkruan Reuters.

Agjencia tha se gjetjet paraprake sugjerojnë se automjeti që transportonte Joshua-n ka qenë ndoshta duke ecur me shpejtësi kur humbi kontrollin gjatë një manovre parakalimi dhe u përplas me një kamion të ndaluar në anë të rrugës.

“Shkaqet kryesore të përplasjes, shpejtësia e tepërt dhe parakalimi i gabuar, përbëjnë shkelje serioze të trafikut dhe mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore fatale në autostradat nigeriane,” tha FRSC në platformën X.

Joshua, i cili është djali i prindërve britaniko-nigerianë, ndoqi një shkollë me konvikt në Ikenne, 53 milje larg vendit ku ndodhi aksidenti, përpara se të shkonte në Britani në moshën 12-vjeçare.

Aksidenti ndodhi pak më shumë se një javë pasi Joshua mposhti me nokaout yllin amerikan të mediave sociale, Jake Paul, në raundin e gjashtë të një dyluftimi në Miami.

Joshua u kthye në ring pas një pushimi 15-mujor. Ai pritet të ndeshet me rivalin e tij të vjetër dhe bashkëkombësin Tyson Fury në vitin 2026.