Vendosni fjalën kyçe....

Flavio Bolsonaro, djali i ish-presidentit të djathtë brazilian Jair Bolsonaro do kandidojë në zgjedhjet presidenciale


Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, mbështeti të enjten kandidaturën e djalit të tij, Flavio, për zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, përmes një deklarate nga spitali ku ai iu nënshtrua një operacioni të planifikuar për hernie, i cili sipas mjekëve shkoi pa probleme.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, e autorizoi Bolsonaron të linte burgun, ku ai po vuan një dënim prej 27 vitesh për komplot për grusht shteti, për t’u operuar. Policia u urdhërua të qëndronte jashtë dhomës së tij, ku kompjuterët dhe telefonat celularë ishin të ndaluar.

Senatori Flavio Bolsonaro, 44 vjeç, ka deklaruar se dëshiron të konsolidojë trashëgiminë konservatore të babait të tij në votimet e 4 tetorit, kur ai do të përpiqet të rrëzojë presidentin e majtë, Luiz Inacio Lula da Silva.

“Me zotimin për të mos lejuar heshtjen e vullnetit popullor, marr vendimin të emëroj Flavio Bolsonaron si parakandidat për presidencën në vitin 2026,” tha Jair Bolsonaro në një letër të lexuar nga Flavio përpara spitalit në qytetin e Brazilias, ku po trajtohej babai i tij.

70-vjeçari, ish-udhëheqës i vendit, është përballur me probleme të përsëritura shëndetësore që kur mbijetoi pas një goditjeje me thikë pothuajse fatale gjatë fushatës së vitit 2018, duke u bërë ballë më shumë se gjashtë operacioneve abdominale gjatë viteve.

Operacioni i së enjtes, i cili zgjati rreth tre orë, u përshkrua nga mjeku i tij, Claudio Birolini, si i pritshëm dhe pa incidente. Bolsonaro, i cili pritet të qëndrojë në spital për pesë deri në shtatë ditë.

Ish-presidenti mund t’i nënshtrohet gjithashtu një procedure mjekësore të veçantë për lemzën e tij të përsëritur gjatë qëndrimit në spital, sipas Birolinit dhe mjekut Brasil Ramos Caiado. Vendimi për këtë mund të merret pas një rivlerësimi të gjendjes së tij mjekësore të hënën, thanë ata, shkruan Reuters.

I konsideruar si person me rrezik arratisjeje pas dënimit të tij, ish-presidenti u ndalua në fund të nëntorit dhe filloi të vuante dënimin e tij prej 27 vitesh tre ditë më vonë.

Flavio Bolsonaro konfirmoi këtë muaj se babai i tij mbështet kandidaturën e tij për vitin 2026, duke trazuar tregjet që prisnin që ish-presidenti të favorizonte një kandidat më me përvojë, si guvernatori i Sao Paulos, Tarcisio de Freitas.

Anulimi i një interviste të planifikuar të martën, ku Jair Bolsonaro pritej të zyrtarizonte mbështetjen, ndihmoi në forcimin e monedhës reale me gati 1% kundrejt dollarit.