
Krishtlindja u kremtua edhe në qytetin e Lezhës, ku qindra besimtarë të krishterë morën pjesë në ritualin fetar të lindjes së Krishtit, të zhvilluar në Katedralen e Shën Nikollit. Mesha e shenjtë e mbrëmjes së së mërkurës u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale.
Në fjalën e tij para besimtarëve, ipeshkvi Vitale foli për mungesën e paqes mes njerëzve në Shqipëri dhe mbarë botën, pasi sipas tij luftërat dhe vrasjet janë kthyer në shqetësim për komunitetet.
Mesha e Krishtlindjes u shoqërua me një pjesëmarrje të lartë qytetarësh, si brenda ashtu edhe jashtë Katedrales së Shën Nikollit. Rituali fetar vijoi deri në mesnatë, ndërsa në përfundim besimtarët u shpërndanë duke uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe begati.