
Drejtuesi i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori kërkoi dorëheqjen e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama.
Ai tha se të dy janë kapur në korrupsion madhor dhe duhet të largohen ndërsa u zotua në vijimin e protestave.
“Kemi një ministre, të cilës i duhet hequr imuniteti dhe duhej shkarkuar. Për shkak të përgjegjësise së fortë të Ramës, ne mendojmë se Kuvendi duhet të shkarkonte edhe kryeministrin Rama. Sot Rama është i pushtetshëm sepse shoqëria nuk është ngritur mjaftueshëm në këmbë. Ne do të vazhdojmë të protestojmë në mënyrë periodike. Vend protesta jonë ka qenë Kuvendi i Shqipërisë, sepse mbart sovranitetin e popullit çdo 4 vjet. Prandaj ne jemi mbledhur aty, sepse duam t’u kërkojmë llogari deputetëve që të jenë të përgjegjshëm.” tha Qori në Report Tv.
Duke komentuar protestën e Partisë Demokratike të 22 dhjetorit dhe tubimet e planifikuara prej saj, Qori nënvizoi se “thirrësi i protestës duhet të ketë reputacionin moral për të qenë i besueshëm”.
Ai përjashtoi kategorikisht çdo bashkëpunim politik me Partinë Demokratike dhe figura të tjera si Adriatik Lapaj, duke deklaruar se “nuk bashkëpunon me të keqen”.
“Më mirë humb sesa të kompromentohesh”, vijoi Qori, duke u zotuar se do vijojë betejën kundër oligarkëve dhe korrupsionit duke ofruar një alternativë morale dhe politike “që nuk bashkëpunon me të keqen.”