
Në vigjilje të Krishtlindjeve është shënuar një fluks i shtuar i lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Sipas autoriteteve doganore, fluksi është kryesisht në hyrje të territorit shqiptar, pasi shumë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit po kthehen për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri pranë familjarëve të tyre.
Aktualisht, në këtë pikë kufitare po punohet me tre sportele në hyrje dhe dy sportele në dalje, ndërsa janë vënë në funksion edhe dy sportele të posaçme për autobusët. Autoritetet bëjnë me dije se ka nisur edhe aplikimi i procedurës së përshpejtuar për regjistrimin e mjeteve me targa greke, me qëllim lehtësimin e qarkullimit.
Pavarësisht fluksit të shtuar të mjeteve dhe udhëtarëve, situata po menaxhohet nga Policia Kufitare, e cila po merr masa për shmangien e radhëve të gjata dhe për reduktimin e kohës së pritjes për qytetarët.