Vendosni fjalën kyçe....

U mashtrua nga shoku i saj, 13-vjeçarja Filipinase përdhunohet nga 6 adoleshentë në Selanik


Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Selanik të Greqisë, ku një vajzë 13-vjeçare është përdhunuar dhe filmuar nga një grup prej gjashtë adoleshentësh.

Sipas mediave greke, e mitura, me origjinë nga Filipinet, ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga tre shtetas grekë dhe tre shqiptarë, të moshave 14, 15, 16, 16, 18 dhe 19 vjeç.

Në dëshminë e saj, e mitura ka deklaruar se makthi nisi në muajin shkurt dhe zgjati deri në prill. Katër nga të dyshuarit, duke shfrytëzuar marrëdhënien miqësore që ajo kishte me një prej tyre, një 15-vjeçar, e kanë joshur dhe e kanë çuar në ambiente të ndryshme, përfshirë një zonë të përbashkët të një pallati dhe tualetet e grave të një parkingu në Selanik.

Në këto ambiente, vajza është përdhunuar nga grupi, ndërsa aktet janë regjistruar me telefonat celularë të autorëve. Mediat greke raportojnë se një pjesë e pamjeve është publikuar edhe në rrjetet sociale, duke rënduar më tej pasojat psikologjike dhe ligjore të rastit.

Autorët do të përballen me akuzat për veprat penale të përdhunimit, akteve seksuale me ose para të miturve, pornografisë për hakmarrje, pornografisë me fëmijë dhe shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.