Vendosni fjalën kyçe....

Shkodër | Operacioni “Neonët 4”, zbulohen ambiente për kultivim kanabisi me llamba, disa të arrestuar



Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar fazën e katërt të operacionit policor të koduar “Neonët 4”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, me anë të llambave.

Me këtë fazë të operacionit, shkon në 7 numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura nga policia.

Gjatë ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë shtetasi Gjovalin Binaku, 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës, i cili kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis.

Po ashtu, u ndalua shtetasi Robert Vata, 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa nisi procedimi penal për shtetasit A. U., 50 vjeç, dhe Gj. T., 59 vjeç, banues në Velipojë, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Nga kontrollet e ushtruara në ambientin e përshtatur për veprimtarinë kriminale, shërbimet e Policisë sekuestruan, në cilësinë e provës materiale:

  • 308 bimë të dyshuara narkotike kanabis

  • 85 gramë kanabis të tharë

  • 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve

  • 4 aparate celularë

Ndërkohë, nga kontrolli i banesës së shtetasit R. V., u sekuestruan 3 llamba dhe 1 përforcues grushti.

Policia bën me dije se puna vijon për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.