Vendosni fjalën kyçe....

Noka reagon pas përjashtimit 30-ditor nga Kuvendi: Nuk na trembin urdhrat e Suelit dhe Agasit



Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e tij me 30 ditë nga seancat plenare të Kuvendit. Në një deklaratë për mediat, Noka tha se opozita nuk do të tërhiqet, pavarësisht masave ndëshkuese ndaj saj.

“Urdhrat e Suelit dhe Agasit nuk na trembin. Me vërshimin e qytetarëve dje në bulevard, këta e kanë marrë mesazhin dhe ndaj janë të tërbuar. Nuk ndalemi deri në çmontimin e tyre. Po u rrëshqet dheu nën këmbë dhe ne jemi të vendosur ta çojmë misionin tonë deri në fund,” u shpreh Noka.

Ai akuzoi mazhorancën për veprime të dirigjuara dhe për përdorim të institucioneve kundër opozitës, duke pretenduar se vendimet për përjashtime dhe masa ndëshkuese merren me urdhra politikë.

“Gysi urdhëron dhe ne e dimë. Ai flet me kapon, me të ndan tenderat dhe vendos se kush do të shpallet armik i pushtetit. Të gjithë shkojnë si lepuj në zyrën e Gysit për të marrë urdhra për rrëmbime, inkuizicion dhe përjashtime ndaj opozitës,” tha deputeti demokrat.

Në përfundim, Flamur Noka theksoi se Partia Demokratike do të vijojë aksionin e saj politik deri në krijimin e një qeverie teknike, duke përjashtuar figurat që ai i cilësoi si simbol të pushtetit aktual.

“Nuk ndalemi deri në një qeveri teknike, pa Belindën, Lindën dhe Mirlindën,” përfundoi Noka.