
Sekretariati i Etikës u mblodh sërish sot në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, të cilët u përfshinë në ngjarjet e tensionuara të seancës plenare të Kuvendit më 18 dhjetor.
Mbledhja e mëparshme ishte shtyrë, pasi deputetët e opozitës kishin kërkuar të njiheshin më parë me provat. Mazhoranca e cilëson skenarin e dhunës në Kuvend si të mirëorganizuar dhe akuzon drejtuesit e Partisë Demokratike, përfshirë kryetarin Sali Berisha, Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin, si organizatorë të akteve të dhunës.
Partia Socialiste i ka kërkuar gjithashtu Prokurorisë të verifikojë nëse ka vend për nisjen e një hetimi penal ndaj Flamur Nokës dhe Klevis Balliut, lidhur me përplasjet fizike me punonjësit e Gardës së Republikës.
PS kërkon:
Përjashtim 60-ditor nga punimet e Kuvendit për Flamur Nokën dhe Klevis Balliun, për shkak të përplasjes fizike me Gardën;
Përjashtim 60-ditor për Sali Berishën dhe Gazment Bardhin, si organizatorë të dhunës;
Përjashtim për deputetët Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët akuzohen për ndezjen e tymueseve në sallë;
Përjashtim 10-ditor për 19 deputetë të tjerë që rrethuan foltoren gjatë seancës.