
Protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë nisi pasditen e sotme, me mbërritjen e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në selinë blu, vetëm pak minuta përpara orarit zyrtar të tubimit. I shoqëruar nga mbështetës demokratë me flamuj, parulla dhe banderola, Berisha u përshëndet me brohoritje dhe duartrokitje, ndërsa protesta u lajmërua të niste në orën 18:00.
Ndërkohë, Policia e Tiranës kishte hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke vendosur kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe mbështetësit e tij i janë bashkuar sot protestës së organizuar nga opozita kundër skandaleve të qeverisë së Edi Ramës.

Në një prononcim për media nga protesta, ai tha se nuk e ka përjashtuar askush nga PD.
“Dy skandalet e fundit të qeverisë, kanë ekspozuar të gjithë segmentet shtetit të lidhura me kthimin e institucioneve në parcela private të personave të lidhur me qeverinë dhe krimin, por dhe rrënimin moral dhe korrupsionin politik. Sot është dita për rrëzuar. Nuk më përjashton asnjë njeri, nuk ndryshon asnjë gjë. Sot është radha për të përjashtuar Ramën.
Kam ardhur me mbështetësit e PD dhe unë jam i PD. Jam bashkëdrejtues i një lëvizje të rëndësishme demokratike. Po punoj për PD por ka një qëndrim të qartë që PD dhe opozita duhet të jetë më e fortë që me gjithë këto skandale nuk duhet të qëndronte në këmbë qeveria. Po qëndroj larg se nuk jam organizator, por një protestues”, tha Salianji.
Protesta e opozitës para Kryeministrisë ka nisur me fjalimin e deputetit të PD-së, Belind Këlliçi, i cili deklaroi se tubimi nuk është një ritual politik, por një mision për të thënë të vërtetën.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së mbajtur në protestën kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë, deklaroi se edhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku “po i vjen ora”, duke e akuzuar atë dhe bashkëpunëtorët e saj për abuzime dhe korrupsion.
“Ndizni dritat e telefonave ta shohin ku është populli opozitar, ku është PD. Ne sot nuk jemi mbledhur për një ritual politik por si misionarë dhe për të thënë të vërtetën. Ky pushtet ka mbaruar, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani, jo kur të dojë ai.
Këtu pas shpinës time, hyjnë e dalin nga kjo godinë për të zhdukur provat. Visi ka ruajtur mesazhet e Ballukut, Balluku ka ruajtur mesazhet e palloshit kurse Gysi i ka filmuar të gjithë.
Edi Rama nuk di më kë të mbrojë e kë të lëshojë.
Mekanizmi përbindshëm ka rënë. Makineria e tyre u mbajt gjallë mbi frikën.
Miliarda euro të zhdukura nga xhepat tanë. Kjo bandë detyroi të ikin 1.1 mln shqiptarë.”
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare, falënderoi qytetarët për praninë dhe mbështetjen, duke e cilësuar atë si shpresë për ndryshimin në Shqipëri.
Bardhi deklaroi se protesta është për dinjitetin dhe të ardhmen e vendit, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ai e cilësoi Edi Ramën si “kryeministrin më të korruptuar” dhe theksoi se, sipas tij, koha e kësaj qeverie ka marrë fund, ndërsa opozita nuk do të heshtë përballë korrupsionit. “
Kjo protestë është për dinjitetin tonë të përbashkët dhe të ardhmen që nuk ia falim Ramës. Ne jemi këtu sepse korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë.
Kartelet e drogës bashkë me qeverinë e tyre po vjedhin….Rama, Balluku, banda kriminale që qëndrojnë pas tyre duan që ne të heshtim. Bashkë me çetën e tyre të megahajdutëve, ne do u themi se ata e kanë gabim. U themi hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisë së koha e tyre ka mbaruar”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë fjalës së tij në protestë, akuzoi qeverinë për lidhje me krimin dhe korrupsion masiv, duke thënë se pushteti është kapur nga “bandat” dhe se pasuritë e zyrtarëve janë ndërtuar mbi varfërinë e qytetarëve.
Ai tha se Rama dhe Balluku duhet të jetë në burg, ndërsa t’u konfiskohen pasuritë.
“Ergys Agasi mban në shtëpi 3 mln euro shishe vere. Ndërkohë që të rinjtë e të rejat largohen sepse nuk blejnë një shtëpi, Belinda Balluku ka 317 apartamente e 2 jahte. Ku i gjetën paratë? Janë të gjitha paratë tuaja. Ndaj duhet të luftojmë që të arrestohen dhe tu konfiskohen pasurit”, tha deputeti demokrat, Klevis Balliu.

Deputetja e PD, Elda Hoti ku iu drejtua qytetarëve se të flasësh për një popull që është tkurrur nga emigrimi nuk është e lehtë.
“Ne flasim për zhvillim, por cfarë zhvillimi është ky kur pensionistët marrin qindarka dhe çiftet e reja punojnë gjithë jetën për një shtëpi, kurse zv/kryeministrja ka shtëpi që mban vetëm çelësat.
Apo verërat e shtrenjta, si ajo që pinte kryeministri. Bodrumi me verë i Gysit sa kosto që i duhet spitalit Onkologjik që të investojë në shërbim të pacientit.”
Nga podiumi i protestës kombëtare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se “Rilindja dhe Edi Rama janë kufoma politike”, duke theksuar se opozita ka nisur një betejë vendimtare për largimin e tyre nga pushteti. Ai ftoi të gjitha forcat opozitare, intelektualët dhe qytetarët të bashkohen në aksionin kundër qeverisë, të cilën e akuzoi për shkatërrimin e familjes shqiptare, largimin masiv të të rinjve dhe privatizimin e shtetit.
Berisha iu përgjigj edhe kritikëve të protestave, duke deklaruar se opozita është e vendosur të vazhdojë betejën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë përballje si një mision historik për demokracinë dhe lirinë e vendit.
Kryedemokrati Sali Berisha, nga podiumi i protestës kombëtare mbrëmjen e sotme deklaroi se nga sot “Rilindja dhe Rama janë kufoma politike” dhe se “funeralin do ia bënin ata”.
“Në emrin tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, guximtar në këtë betejë vendimtare, për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet.
Për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bij dhe bijat tona që nuk besojnë më, edhe pse ka pasuri përallore, për familjen shqiptare që këta duan ta shkatërrojnë, ta shuajnë. Ne tani duhet ta zhdukim këtë racë armiqsh.
I bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, intelektuali ka armik numër një konformizmin, është virusi shkatërrimtar i tij, dilni në shesh për familjet tona dhe qytetarët që na besojnë. Dilni se nuk munden kurrë një bandë si këta të privatizojnë shtetin e gjithçka. Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën.
Për të shpëtuar familjen shqiptarë, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë çfarë do bëjnë këta?
Ne do bëjmë atë “ja do vdesim ja do rrojmë për liri”. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel…Kur ne kemi dalë me këtë betim kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne. Të nxijnë Shqipërinë…Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”.

Pas fjalimit të Sali Berishës, protestuesit hodhën molotovë drejt shkallëve të Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë në hyrje të godinës. Pavarësisht thirrjeve të policisë për qetësi, pas largimit të Berishës nga sheshi u rrëzua edhe gardhi metalik i vendosur përpara turmës.

Gjatë hedhjes së molotovëve, pati dhe incidente sic ishte rasti i një prej protestuesve që u përfshi nga flakët.
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha