Vendosni fjalën kyçe....

Rutte: Rusia mund ta mbajë Evropën “të zënë” nëse Kina sulmon Tajvanin


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet ta mbajë Evropën të “zënë” nëse Kina nis sulm ushtarak ndaj Tajvanit, transmeton Anadolu.

Në intervistën për gazetën gjermane “BILD” të dielën, Rutte tha se Pekini dhe Moska janë të lidhur ngushtë dhe se çdo përshkallëzim në Indo-Paqësor mund të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë evropiane.

“Ne shohim lidhjen globale midis Kinës dhe Rusisë. Kina po e shqyrton Tajvanin. Jam i bindur se nëse Kina ndërmerr veprime ushtarake atje, ajo do të ushtrojë presion mbi partnerin e saj të vogël, Rusinë, nën udhëheqjen e Putinit, që të na mbajë të zënë këtu në Evropë”, tha ai.

Rutte më tej tha se NATO duhet të forcojë urgjentisht mbrojtjen e saj, duke paralajmëruar se Moska mbetet e përgatitur të përballojë humbje të rënda.

“Arsyeja është Putini. Ai është i përgatitur të sakrifikojë 1.1 milion njerëz nga populli i tij. Dhe këtë vit ai ka bërë shumë pak përparim, fitime minimale territoriale, më pak se 1 për qind e territorit ukrainas krahasuar me fillimin e vitit”, shtoi ai.

Rutte nënvizoi se ishte thelbësore për sigurinë evropiane që Ukraina të mbahet e fortë.

Nëse Rusia do të merrte kontrollin e të gjithë Ukrainës, kjo do të kishte pasoja të mëdha për NATO-n. Ne do të duhej të shpenzonim shumë më tepër sesa ajo për të cilën ramë dakord në Hagë“, tha ai.

Sipas tij, diskutimet ishin duke vazhduar rreth kontributeve të mundshme me trupa. “Disa vende evropiane kanë treguar se do të ishin të gatshme të kontribuonin me trupa, nëse dëshirohej”, tha Rutte duke shtuar se struktura e një vendosjeje të tillë ishte ende duke u përpunuar.

Kreu i NATO-s hodhi poshtë spekulimet se Washingtoni mund të shkëputet nga Evropa, duke vlerësuar rolin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Duhet të them: Trump është absolutisht i përkushtuar ndaj kësaj çështjeje. Ai është i përqendruar në përfundimin e kësaj lufte. Ai është i vetmi që arriti ta sillte Putinin në tryezën e negociatave dhe i vetmi që në fund të fundit mund ta detyrojë atë të bëjë paqe”, theksoi Rutte.