
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ndërmarrë sulme ajrore dhe tokësore në shkallë të gjerë kundër dhjetëra objektivave të ISIS në Siri, si hakmarrje për një sulm të fundit ndaj personelit amerikan, bënë të ditur zyrtarë amerikanë.
Operacioni, i quajtur “Operation Hawkeye Strike”, ka goditur mbi 70 objektiva të ISIS-it në pjesën qendrore të Sirisë, përfshirë luftëtarë, infrastrukturë dhe depo armësh.
Sulmet u kryen nga avionë luftarakë amerikanë F-15 dhe A-10, helikopterë Apache si dhe sisteme raketore HIMARS, me mbështetje edhe nga avionë luftarakë jordanezë, përcjell Reuters.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se operacioni ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmit ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.
“Kjo nuk është fillimi i një lufte, por një deklaratë hakmarrjeje. Ne i gjuajtëm dhe i eliminuam armiqtë tanë dhe do të vazhdojmë,” u shpreh ai.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump reagoi publikisht, duke e cilësuar operacionin si një goditje “masive” ndaj ISIS-it. Në një fjalim publik, Trump tha se “sulmet ishin shumë të suksesshme” dhe shtoi se qeveria siriane e mbështet plotësisht veprimin ushtarak amerikan kundër grupit ekstremist.
Sipas ushtrisë amerikane, sulmi që nxiti këtë operacion ndodhi më 13 dhjetor në qytetin sirian Palmyra, ku një sulmues hapi zjarr ndaj një autokolone të forcave amerikane dhe siriane.
Përveç viktimave, tre ushtarë të tjerë amerikanë mbetën të plagosur. Autoritetet siriane e përshkruan autorin si një anëtar të forcave të sigurisë që dyshohej për simpati ndaj ISIS-it.
Aktualisht, rreth 1 mijë trupa amerikane ndodhen ende në Siri, në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga SHBA për luftën kundër ISIS-it.
Qeveria siriane deklaroi se mbetet e përkushtuar për të garantuar që territori i saj të mos shndërrohet në strehë të sigurt për grupet terroriste.
Sulmet e fundit sinjalizojnë një ashpërsim të qasjes amerikane ndaj ISIS-it, ndërsa Uashingtoni paralajmëron se çdo sulm ndaj trupave të tij do të marrë përgjigje të menjëhershme dhe të fortë.