
Disa mijëra aktivistë nga mbarë Serbia iu bashkuan protestave studentore në jugperëndim të vendit të dielën, duke tubuar kundër asaj që ata e përshkruajnë si presion të qeverisë mbi universitetet shtetërore.
Demonstrata, pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që përballet me ndërhyrjen politike në arsimin e lartë, ishte e para e këtij lloji në Novi Pazar, një qytet me popullsi shumicë myslimane boshnjake.
Kjo është në mesin e shumë protestave të organizuara pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor vitin e kaluar në qytetin verior të Novi Sadit, ku mbetën të vrarë 16 persona.
Studentët nga Novi Pazari janë bërë të famshëm në mbarë vendin pasi ecën për ditë të tëra për t’u bashkuar me protestat masive në Novi Sad për të shënuar përvjetorin e parë të shembjes së çatisë më 1 nëntor.
Tani ata thonë se administrata e universitetit u ka hequr statusin e studentit të rregullt atyre që kanë munguar për shkak të protestave dhe ka shkarkuar dhjetëra lektorë.

“Erdha këtu për të shprehur mbështetjen për studentët e Novi Pazarit,” tha Momçilo Zelenbaba, i cili udhëtoi nga qyteti i Jagodinës, 190 km në veri të Novi Pazarit.
“Erdha sepse 200 studentë humbën statusin e tyre dhe 30 profesorë humbën punën.”
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e bordit drejtues të universitetit dhe zgjedhjen e një rektori të ri.
“Jemi këtu sot për t’i dërguar një mesazh Serbisë se ne luftojmë për një menaxhim të përkohshëm dhe mbijetesën e universitetit tonë,” tha Xhenana Ahmetoviç, një protestuese.
Gjatë protestës që zgjati gjithë ditën, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje për viktimat e shembjes së çatisë. Ata valëvitën flamuj që përfaqësonin qytetet dhe universitetet e tyre, fishkëllyen dhe thirrën parulla.
Lëvizja protestuese – e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe figura të opozitës – akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij nacionaliste populiste për nxitjen e korrupsionit, shërbimeve të dobëta publike, nepotizmit dhe kufizimeve të lirisë së mediave. Vuçiç dhe partia e tij i mohojnë akuzat, shkruan Reuters.
Novi Pazari është qyteti më i ri i Serbisë nga pikëpamja demografike, me 60% të popullsisë së tij shumicë myslimane nën moshën 30 vjeç. Me gjithë përbërjen e tij të veçantë etnike, nuk është raportuar asnjë përplasje me fqinjët serbë ortodoksë që nga shpërbërja e Jugosllavisë më shumë se tre dekada më parë.