
Deputetja e PD-së Tabaku ka ngritur alarmin lidhur me ngritjen me votat e PS-së së Bakës Kombëtare të Zhvillimit. Ajo thekson se banka në fjalë rrezikon të kthehet në lavatriçe financiare, instrument i rrezikshëm pa kontroll ku mund të abuzohen qindta miliona euro.
Demokratja thekeson se BKZH-ja nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë, nuk kontrollohet nga KLSH-ja dhe do mbledhe kursimet e qytetarëve për t’ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë.
Statusi i Tabakut
“Në kulmin e një krize të thellë korrupsioni, krize reale të qeverisjes dhe mungese legjitimiteti politik të shumicës, u miratua dhe u ngrit Banka Kombëtare e Zhvillimit.
Në letër, synimi i kësaj banke paraqitet gjithmonë dashamirës për ekonominë. Ashtu siç ishin “dashamirëse” edhe inceneratorët, PPP-të apo tenderat publikë që sot janë simbol i abuzimit dhe korrupsionit, ku paratë e shqiptarëve përfundojnë në duart e një grushti njerëzish.
Në realitet, pas kësaj fasade zhvillimi, Banka e Zhvillimit rrezikon të kthehet në një tjetër lavatriçe financiare, një instrument i rrezikshëm pa asnjë kontroll real, përmes të cilit mund të abuzohen qindra miliona euro nga paratë tuaja.
Problemi nuk është ideja e bankës, por arkitektura e saj e qëllimshme për të vjedhur në hije.
Sipas ligjit të miratuar, kjo bankë funksionon si një “ishull financiar” ku qeveria bën çfarë të dojë:
- Nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë!
- Nuk i nënshtrohet kontrollit teknik të KLSH-së për kreditë që jep!
- Dhe më e rrezikshmja: Do të mbledhë kursimet tuaja në Postë për t’ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë!
Me pak fjalë, ajo nuk jep llogari askund përveçse te zyra e kryeministrit.
A ka banka zhvillimi në Europë? Po, padyshim që ka. Por ka një dallim që kjo qeveri nuk e thotë:
Në Gjermani, KfW kontrollohet deri në qindarkën e fundit nga Banka Qendrore dhe Parlamenti. Në Itali, çdo investim i Cassa Depositi e Prestiti kalon në sitën e institucioneve të pavarura. Atje ka shtet! Këtu ka vetëm babëzi.
Në asnjë vend serioz nuk ekziston një bankë që menaxhon para publike pa një palë të tretë që i vendos frenat. Por këtu, frenat i ka hequr qeveria që t’i japë gaz korrupsionit.
Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër “gropë financiare” që i shërben një pakice klienteliste.
Ka nevojë për institucione që mbrojnë djersën e qytetarëve, jo për një bankë që financon PPP-të dhe dështimet e radhës me kursimet e prindërve tanë.
Ndalini duart nga paratë e shqiptarëve! Shqipëria nuk ka nevojë për bankën e pushtetit, por për drejtësi dhe ekonomi që punon për të gjithë!”