Vendosni fjalën kyçe....

Mediu ngre alarmin për “Smart City”: Kamerat rrezikojnë privatësinë dhe sigurinë kombëtare



Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me projektin “Smart City”, i prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama si një nismë për rritjen e sigurisë përmes vendosjes së mijëra kamerave të vëzhgimit në të gjithë vendin.

Në një reagim publik, Mediu thekson se Shqipëria, si vend demokratik dhe anëtar i NATO-s, ka detyrim ligjor dhe kushtetues të garantojë privatësinë e qytetarëve, duke paralajmëruar se survejimi masiv nuk mund të justifikohet thjesht me pretendimin e luftës kundër krimit.

Sipas tij, një pikë kyçe e këtij projekti është mungesa e transparencës mbi origjinën e kompanive që propozojnë dhe zbatojnë investime të tilla. Mediu kërkon sqarime nëse këto kompani janë në përputhje me standardet e NATO-s dhe Bashkimit Europian, duke theksuar se Shqipëria është ndër të paktat vende në rajon që nuk ka ende një ligj për “background check” të investimeve të huaja, një detyrim për vendet aspirante për BE dhe një standard i konsoliduar në SHBA përmes ligjit CFIUS.

Ai shpreh shqetësim edhe për rrezikun e krijimit të një rrjeti të gjerë survejimi në sektorë dhe infrastruktura kritike, të ndërtuar nga kompani që mund të vijnë nga vende në kundërshtim me interesat e sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Sipas Mediut, këto kompani mund të kenë detyrime ligjore për të ndarë të dhënat e mbledhura me shërbimet e inteligjencës të vendeve të tyre.

Në reagimin e tij, Mediu përmend edhe skandalin e AKSHI-t, duke theksuar se përveç korrupsionit, është cënuar siguria kombëtare dhe mbrojtja e të dhënave të një vendi anëtar të NATO-s. Ai paralajmëron se sisteme të tilla janë përdorur në të kaluarën edhe si mjete shantazhi dhe presioni politik, veçanërisht në vende ku ligji dhe institucionet nuk funksionojnë siç duhet.

Sipas Mediut, rrjetet e kamerave në kuadër të projekteve “Smart City” janë zakonisht të lidhura me serverë të centralizuar, mbështeten te operatorë privatë dhe ruajnë sasi të mëdha të dhënash sensitive, duke rritur rrezikun e hakerimeve, aksesit kriminal apo manipulimit të pamjeve filmike për interesa politike dhe kriminale.

Ai thekson se këto rreziqe mund të minojnë sigurinë kombëtare në vend që ta forcojnë atë, sidomos kur sistemet ndërtohen nga kompani nga juridiksione me mbrojtje të dobët të privatësisë dhe detyrime ligjore për ndarjen e informacionit me qeveritë e tyre.

Në përfundim, Mediu nënvizon se siguria nuk garantohet nga kamerat, por nga një shtet me institucione të pakorruptuara dhe të pavarura nga krimi. Ai kërkon që Parlamenti dhe Komisioni i Sigurisë të ushtrojnë kontroll parlamentar dhe të kërkojnë informacion të plotë mbi projektin, për të garantuar respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, Kushtetutën dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE.