Vendosni fjalën kyçe....

Gra të zhveshura, lodra seksi dhe të ftuar të profilit të lartë: Çfarë ka brenda arkivës së Epstein (FOTO)


Mijëra të dhëna të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ofrojnë një vështrim të hollësishëm dhe shpesh shqetësues të materialeve të mbledhura gjatë hetimeve federale ndaj financierit të ndjerë dhe të dënuar seksual, Jeffrey Epstein.

Arkiva përfshin fotografi, regjistra thirrjesh, transkripte intervistash, materiale të jurisë, të dhëna udhëtimi dhe dokumente të brendshme hetimore.

Një pjesë e konsiderueshme e publikimit përbëhet nga pamje të marra nga shtëpitë dhe pronat e Epstein-it. Një grup fotosh duket se dokumenton një kontroll të FBI-së në rezidencën e Epstein-it në Manhattan. Dosje të tjera përmbajnë fotografi nga një pronë buzë detit, që supozohet të jetë ishulli “Little Saint James” i Epstein-it.

Dosjet përfshijnë pamje të shumta seksualisht eksplicite ose sugjestive, si fotografi të tavolinave të masazhit, lodrave të seksit, grave nudo ose me gjoks të zbuluar, si dhe foto të kornizuara të ekspozuara brenda rezidencave të Epstein-it.

Në shumicën e rasteve, shirita të trashë të zinj mbulojnë fytyrat dhe hollësitë identifikuese për t’u pajtuar me kërkesat ligjore që mbrojnë viktimat e mundshme dhe individët privatë.

Vetëm një dosje përmban dhjetëra pamje të censuruara të grave të zhveshura, pa asnjë kontekst të dhënë se kur apo ku janë bërë fotot. Një shënim sqarues vërente se 33 pamje të vajzave të mitura nuk u skanuan sepse hetuesit besonin se ato përmbanin materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.

Shumë figura të profilit të lartë shfaqen në pamje, të cilat u publikuan pa data apo sfond shpjegues. Shumë foto paraqesin ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, i cili ishte i afërt me Epstein-in në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, por ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të krimeve të tij.

Disa fotografi tregojnë Clinton-in në një pishinë ose në një vaskë me ujë të nxehtë (xhakuzi), krahas bashkëpunëtores së dënuar të Epstein-it, Ghislaine Maxwell, dhe një individi tjetër, identiteti i të cilit është i redaktuar, shkruan Rt.

Pamje të tjera shfaqin njerëz të famshëm dhe figura të shquara, duke përfshirë Michael Jackson, Richard Branson, Diana Ross, Chris Tucker dhe të tjerë, shpesh në darka, festa ose gjatë udhëtimeve.

Një fotografi duket se tregon Princin Andrew të shtrirë mbi pesë persona, fytyrat e të cilëve janë plotësisht të nxira, ndërsa Maxwell qëndron pas tyre. Andrew, i cili është përballur me vite të tëra shqyrtimi mbi miqësinë e tij me Epstein-in dhe iu hoq statusi mbretëror këtë vit, ka mohuar vijimësisht çdo shkelje.

Autoritetet theksuan se pamjet u publikuan pa kontekst dhe se nuk ka asnjë sugjerim për sjellje kriminale të lidhur me abuzimet e Epstein-it në raport me personat e fotografuar. Departamenti i Drejtësisë tha se të dhënat e lidhura me hetimet aktive ose ato që përmbajnë materiale të abuzimit seksual të fëmijëve mbeten të papublikuara, siç lejohet me ligj.