
Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Dorjan Teliti e cilësoi akt arrogance dhe shkelje flagrante të parimeve themelore të qeverisjes miratimin e projektbuxhetit 2026 nga këshilltarët socialistë.
Në një deklaratë nga selia blu, demokrati tha se buxheti në fjalë nuk merrte parasysh interesat e qytetarëve të Tiranës dhe propozimet e opozitës të bazuara mbi shqetësimet e qytetarëve.
“Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike kishte depozituar paraprakisht 29 amendamente, të hartuara mbi bazën e shqetësimeve reale të qytetarëve, të të rinjve, familjeve, shtresave në nevojë dhe sipërmarrjes së kryeqytetit. Këto amendamente synonin korrigjimin e një projektbuxheti klientelist, të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti social e ekonomik i Tiranës.” – tha Teliti.
Ai shtoi më tej se buxheti prej mbi 400 milionë eurosh për vitin 2026, nuk i jep zgjidhje asnjë prej sfidave të vërteta të kryeqytetit dhe është një buxhet për propagandë dhe klientelë.
Deklarata e Telitit
“Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Miratimi i projektbuxhetit 2026 të Bashkisë Tiranë nga mazhoranca e majtë në Këshillin Bashkiak ishte një akt i pastër arrogance dhe një shkelje flagrante e parimeve themelore të qeverisjes dhe demokracisë vendore. Gjatë seancës së votimit, në kundërshtim të hapur me rregulloren, mazhoranca përjashtoi propozimet e opozitës dhe shpërfilli interesin publik. Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike kishte depozituar paraprakisht 29 amendamente, të hartuara mbi bazën e shqetësimeve reale të qytetarëve, të të rinjve, familjeve, shtresave në nevojë dhe sipërmarrjes së kryeqytetit. Këto amendamente synonin korrigjimin e një projektbuxheti klientelist, të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti social e ekonomik i Tiranës.
Mazhoranca i tha JO qytetarëve
Duke refuzuar t’i fusë në votim 29 amendamentet tona, mazhoranca socialiste i tha JO:
- Uljen me 30% të taksës së pronës
- Përgjysmimin e tarifës së pastrimit për familjet dhe bizneset
- Përgjysmimin e tarifave të parkimit
- Uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, masë që do të ulte çmimin e banesave për çiftet e reja.
Mazhoranca i tha JO:
- Çerdheve dhe kopshteve falas
- Subvencionimit të ushqimit për nxënësit
- Kompensimit të çmimit të rritur të ujit, derisa Tirana të ketë furnizim 24 orë
- Subvencioneve direkte për fermerët e Tiranës
Amendamentet tona parashikonin investime të domosdoshme në arsim, siguri dhe të ardhmen e të rinjve, duke përfshirë ndërtimin e institucioneve të reja arsimore, rritjen e sigurisë pranë tyre dhe krijimin e kapaciteteve publike për strehimin studentor. Refuzimi i këtyre investimeve tregon se për mazhorancën prioritet nuk është e ardhmja e qytetit, por mbajtja e pushtetit me çdo kusht.
Mazhoranca i tha PO abuzimit me fondet
Amendamentet tona synonin:
- Ndalimin e pagesave për shërbime që nuk ekzistojnë, duke filluar nga inceneratori inekzistent
- Uljen e shpenzimeve operative dhe administrative
- Eliminimin e fondeve për marketing dhe evente propagandistike
- Alokimin e këtyre fondeve drejt shërbimeve sociale, qendrave komunitare dhe mbështetjes për të moshuarit
Të gjitha këto u rrëzuan pa asnjë argument.
Të dashur qytetarë,
Buxheti prej mbi 400 milionë euro për vitin 2026, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe i kundërshtuar fort nga opozita, nuk i jep zgjidhje asnjë prej sfidave të vërteta të kryeqytetit. Është një buxhet për propagandë dhe klientelë; një buxhet që mban gjallë modelin e qeverisjes pa transparencë dhe pa llogaridhënie; një buxhet që rëndon qytetarët dhe bizneset.
Ky akt është një arsye më shumë për të reaguar ndaj arrogancës, përjashtimit social, vjedhjes dhe shpërdorimit të parasë publike.
Ditën e hënë, ora 18:00, ju ftojmë të gjithë të mblidhemi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të mbrojtur interesin publik dhe për të kërkuar një qeverisje që punon për njerëzit – jo për pushtetin dhe orekset e tij.”