Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve u bë për të fshehur të vërtetën


Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për rastin “Balluku-Rama” është zhvilluar për të fshehur të vërtetën dhe për të penguar drejtësinë.

Në një postim në Facebook, Bardhi tha se vendimi për mbylljen e mbledhjes pa caktuar një datë tjetër përbën pengim të drejtësisë nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Postimi i plotë

 

Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për rastin “Balluku-Rama” u bë për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që po bën Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme.

Qëndrimi i PD në mbledhje ka qenë i qartë:

1. Mbledhja duhet të jetë e hapur për publikun, ku secili deputet të jap llogari për qëndrimin e tij.
2. Mbështetje e plotë për kërkesën e SPAK dhe miratimi sa më parë i autorizimit.
3. Deputetët dhe e pandehura të kenë vetëm 3 ditë kohë për njohjen e provave, të cilat na u dhanë vetëm sot. 3-5 ditë kohë kërkoi edhe Prokuroria e Posaçme.
4. Mbledhja e ardhshme e Këshillit të bëhet të hënën, datë 22 Dhjetor 2025, ku Këshilli të rekomandojë dhënien e autorizimit për arrestim.

Edi Rama vendosi që të zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të mbledhjes së ardhshme. Kjo përbën PENGIM TË DREJTËSISË. Prokuroria konfirmoi se e pandehura Belinda Balluku po prish provat, duke intimiduar dëshmitarët. Është çështje e ngutshme miratimi i autorizimit nga ana e Kuvendit.

Anëtarët e opozitës do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, në fillimin e javës së ardhshme, për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për autorizim të Prokurorisë së Posaçme.