
Prej orës 10:30 në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Për më shumë se dy orë, anëtarët e Këshillit u përfshinë në debate procedurale mbi mënyrën e zhvillimit të mbledhjes. Partia Demokratike kërkoi që seanca të ishte e hapur për publikun, ndërsa Partia Socialiste e kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se çështja lidhet me sekretin hetimor.
Edhe vetë SPAK ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, kërkesë që u pranua pas diskutimeve.
Prokurorët e SPAK nisën leximin e kërkesës për autorizimin e arrestimit, ndërsa Balluku nuk ishte e pranishme, duke u përfaqësuar nga avokati i saj, Ardian Kalija.
Ky i fundit kërkoi të njihej me provat e paraqitura nga SPAK dhe të vihej në dispozicion USB-ja që përmban materialet hetimore, duke kërkuar gjithashtu shtyrjen e mbledhjes.
Kërkesa për USB-në solli një tjetër përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. PD kërkoi që materialet t’u jepen anëtarëve të Këshillit për t’u shqyrtuar jashtë mbledhjes, ndërsa PS këmbënguli që dokumentacioni të mos dalë nga salla, por të hapet dhe të lexohet vetëm brenda saj.
USB-ja u vendos në kasafortën e protokollit, me argumentin se bëhet fjalë për materiale sekrete. Nga ana tjetër, SPAK sqaroi se anëtarët e Këshillit të Mandateve mund t’i marrin provat për shqyrtim.
Në të njëjtën kohë që zhvillohej mbledhja, Balluku u pa duke shkuar në Kryeministri për mbledhjen e qeverisë. SPAK përfaqësohet në këtë proces nga kreu i ri i institucionit, Klodian Braho, si dhe nga prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Sipas relacionit të dorëzuar në Kuvend, SPAK argumenton se pozita penale e Ballukut është rënduar ndjeshëm. Prokuroria e dyshon atë për manipulimin e të paktën 12 tenderëve me vlerë rreth 1.2 miliardë euro, për ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve dhe për rrezikun e prishjes së provave apo kryerjes së veprave të tjera penale për shkak të funksionit që mban.
Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli i Mandateve, por nga mbledhja e fundit, raporti duhet të hartohet brenda dy javësh dhe të votohet në seancën e parë plenare. Ligji parashikon një afat maksimal tre mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Ballukun, ndërsa nuk shqyrtoi masën e pezullimit nga detyra, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Balluku është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro dhe po hetohet edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe me vlerë rreth 450 milionë euro, si dhe për disa tenderë të tjerë të mëdhenj infrastrukture.