
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një komunikimi live në Facebook se shpreson që në vitin e ardhshëm Gjykata e Hagës të japë vendimin e pafajësisë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerët e UÇK-së.
Rama e cilësoi procesin një “farsë” dhe tha se vetëm një vendim pafajësie do të shlyente atë që ai e quajti një fatkeqësi, duke shtuar se Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij po mbahen padrejtësisht të izoluar pavarësisht përfundimit të hetimeve.
“Jam rrugës për në Hagë, ku do të takoj komandantin e ushtrisë çlirimtare, presidentin e republikë së Kosovës që u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare dhe për turpin e madh të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor, janë e vetmja normë që kanë karakterizuar këtë farsë, ku ende pa i dënuar një president i zgjedhur në mënyrë demokratike së bashku me 3 bashkëluftëtarë që kanë mbuluar nga detyra me të rëndësishme në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur, të izoluar.
Tani që ka mbaruar parada e dëshmitarëve qesharake, si dhe kanë mbaruar edhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve mbrojtës, kanë mbaruar hetimet.
Uroj që viti i ardhshëm të jetë perdja e mbylljes së këtij tetari absurd të kësaj gjykate dhe të jepet pafajësia për Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarëve të tjerë. Njerëz që të vetmin faj kanë që u rebeluan ndaj regjimit dhe morën armë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush, e jo më një çekiç absurd që ka lënë kokrrën e namit”, tha Rama.