Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, betohet Avokati i ri i Popullit



Kuvendi i Shqipërisë mban sot, më 18 dhjetor 2025, në orën 10:00, seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar një sërë projektligjesh me rëndësi, si dhe një mocion me debat për masat e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar.

Në seancën e sotme pritet gjithashtu që para deputetëve të bëjë betimin Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani.

Rendi i ditës përfshin fillimisht miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 11 dhjetor 2025 dhe njoftime, për të vijuar më pas me shqyrtimin e disa projektligjeve, mes të cilave ai për ratifikimin e Traktatit të Riadit për Disenjot, projektligji për kujdesin alternativ në familje, ndryshime në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, ligjin për diasporën, vullnetarizmin, ndryshimet klimatike, sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve.

Një pikë e rëndësishme e seancës është edhe mocioni me debat për masat e marra nga qeveria për luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu disa projektvendime, përfshirë emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave, ndryshime në strukturën organizative dhe pagat e personelit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas përfundimit të mandatit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Seanca do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.