Vendosni fjalën kyçe....

Harta mbresëlënëse paraqet modelet 3D të çdo ndërtese në planet, 2.75 miliardë të tilla


Kjo hartë mbresëlënëse paraqet modele 3D të pothuajse çdo ndërtese në planet – gjithsej rreth 2.75 miliardë struktura – duke sjellë një konkurrent të ri serioz për Google Maps.

Përmes përdorimit të mësimit të makinerisë, inxhinierë kompjuterikë kanë ndërtuar një hartë interaktive që shfaq ndërtesat e botës në formë tridimensionale, praktikisht secilën prej tyre, dhe e kanë vënë atë falas në dispozicion të publikut.

Harta, e quajtur GlobalBuildingAtlas, përfshin pothuajse të gjitha 2.75 miliardë ndërtesat ekzistuese në Tokë, duke përfshirë shtëpi private, restorante, spitale dhe struktura të tjera. Çdo ndërtesë paraqitet me një rezolucion prej 3 x 3 metrash, çka lejon kapjen e formës dhe madhësisë së saj me një saktësi të lartë.

Rreth 97 për qind e ndërtesave, ose afërsisht 2.68 miliardë struktura, shfaqen me nivelin më të lartë të detajeve. Një veçori e rëndësishme e hartës është përfshirja e rajoneve që zakonisht mungojnë në hartat globale, si pjesë të Afrikës, Amerikës së Jugut dhe zona të gjera rurale.

GlobalBuildingAtlas u zhvillua nga një ekip kërkimor në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM) në Gjermani. Studiuesit aplikuan modele të avancuara të mësimit të makinerisë mbi imazhe satelitore me rezolucion të lartë për të identifikuar automatikisht gjurmët e ndërtesave dhe për të vlerësuar lartësinë e secilës strukturë.

Më pas, këto rezultate të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale u kombinuan me të dhëna hartografike ekzistuese për të rritur saktësinë. Në fazën përfundimtare, të gjitha këto të dhëna u integruan për të krijuar modele të thjeshtuara 3D për pothuajse çdo ndërtesë në planet.

Sipas universitetit, dataset-i më i madh global i këtij lloji përpara këtij projekti përmbante rreth 1.7 miliardë struktura, më shumë se 1 miliard më pak se GlobalBuildingAtlas. Për këtë arsye, projekti konsiderohet si koleksioni më gjithëpërfshirës i modeleve të ndërtesave në nivel global. Megjithatë, studiuesit theksojnë se harta nuk është e përsosur, pasi është krijuar duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Në vetë platformën shfaqet edhe një paralajmërim: “Ky është një produkt i përfituar nga mësimi i makinerisë dhe mund të përmbajë gabime.”

Rëndësia e GlobalBuildingAtlas shkon përtej aspektit vizual apo kuriozitetit. Studiuesit besojnë se kjo hartë mund të përdoret për një gamë të gjerë aplikimesh, duke përfshirë planifikimin urban, parandalimin dhe menaxhimin e katastrofave natyrore, studimet mjedisore si dhe kërkimet në fushën e shëndetit publik.

Sipas profesoreshës Xiaoxiang Zhu, drejtuese e projektit, informacioni 3D mbi ndërtesat ofron një pasqyrë shumë më të saktë të urbanizimit dhe varfërisë krahasuar me hartat tradicionale 2D. Ajo thekson se modelet 3D mundësojnë analizën jo vetëm të gjurmës së ndërtesave, por edhe të vëllimit të tyre, duke krijuar njohuri më të thelluara mbi kushtet e jetesës.

Në këtë kuadër, projekti prezanton edhe një tregues të ri global, “vëllimi i ndërtesës për frymë”, i cili mat masën totale të ndërtesave në raport me popullsinë dhe shërben si tregues i banesave, infrastrukturës dhe pabarazive sociale e ekonomike.

Pas publikimit të kërkimit në dhjetor 2025, GlobalBuildingAtlas ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme. Gjatë përpjekjeve të para për akses, faqja e internetit shfaqte një njoftim se kishte marrë rreth 280,000 kërkesa për qasje brenda pak ditësh dhe se, për shkak të trafikut shumë të lartë, disa të dhëna mund të mos ngarkoheshin plotësisht, shkruan IFL.

Kjo tregon interesin e madh të publikut, me shumë përdorues që përpiqen të gjejnë shtëpinë e tyre në hartë. Studimi që qëndron pas këtij projekti është publikuar në revistën shkencore Earth System Science Data.