Vendosni fjalën kyçe....

Lukashenko: Bjellorusia nuk ka plane t’i bashkohet operacionit rus në Ukrainë


Përkundër raportimeve në mediet perëndimore, Bjellorusia nuk ka plane t’i bashkohet operacionit ushtarak rus në Ukrainë. Të paktën kështu tha sot presidenti Alexander Lukashenko gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Shtetit.

“Ushtria Bjelloruse nuk ka marrë kurrë asnjë pjesë dhe nuk po merr pjesë në armiqësi. Ne mund t’ia vërtetojmë atë kujtdo. Për më tepër, autoritetet ruse nuk e kanë ngritur kurrë këtë çështje me ne – për pjesëmarrjen tonë në konfliktin ushtarak.

Nuk kemi plane të përfshihemi në këtë operacion special në Ukrainë. Nuk ka një nevojë të tillë.”-tha ai, siç citohet nga agjencia bjelloruse e lajmeve BelTA, përcjell RT.

Lukashenko ka thënë gjithashtu se forcat ushtarake bjelloruse të përqendruara aktualisht pranë Ukrainës duhet të përforcojnë kufirin për të “shmangur radikalët dhe armët” që hyjnë në vend.

Më herët të martën, mediet ukrainase raportuan se forcat ushtarake bjelloruse kaluan kufirin dhe hynë në rajonin Chernihiv të Ukrainës, duke iu referuar një përfaqësuesi për Forcat Rajonale të Mbrojtjes Territoriale, Vitaly Kirillov.

Të enjten e kaluar Rusia nisi një ofensivë ushtarake kundër Ukrainës, duke pretenduar se ishte e nevojshme të “çmilitarizonte” dhe “denazifikonte” Ukrainën për të mbrojtur Republikat Popullore të Donetskut dhe Luganskut dhe interesat ruse të sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me zemërim, duke vendosur sanksione të rënda kundër Rusisë dhe duke mbyllur hapësirën ajrore nga më shumë se 30 vende në mbarë botën.

Raundi i parë i bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvillua të hënën në kufirin Bjellorusi-Ukrainë dhe zgjati pesë orë.