Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali për “Ta Nea”: Me Greqinë duhet të punojmë për çështjet e mbetura pezull



Shqipëria mbetet fuqimisht e angazhuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull me Greqinë, përfshirë përcaktimin e zonave detare dhe marrëveshjet që lidhen me disa aspekte të kufirit tokësor, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë.

Kështu është shprehur ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në një intervistë për gazetën greke TA NEA, dhënë përpara vizitës së saj zyrtare në Athinë, të martën e ardhshme.

E pyetur për hapat e ardhshëm lidhur me këto çështje ende të pazgjidhura mes dy vendeve, Spiropali theksoi se në periudhën në vijim të dyja palët duhet të forcojnë kanalet e hapura të komunikimit, në mënyrë që procesi të mbetet konstruktiv, i bazuar në respekt të ndërsjelltë dhe në aspiratat e përbashkëta evropiane.

Duke folur për agjendën e takimit me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, ministrja u shpreh se vizita në Athinë synon diskutime “360 gradë”, si për bashkëpunimin ekzistues, ashtu edhe për fushat ku ka ende hapësirë për përmirësim.

“Po vij në Athinë për të diskutuar për listën tonë shumë të gjatë të bashkëpunimit dhe pikave të forta, por edhe për fushat ku mund të bëjmë më mirë. Për Shqipërinë, Greqia është një partner strategjik dhe një fqinj me rëndësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Spiropali.

Sipas saj, prioriteti i qeverisë shqiptare është hapja e një kapitulli të ri, më të miri deri tani, në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ajo theksoi se bashkëpunimi mund të zgjerohet më tej në fusha strategjike si energjia, veçanërisht ajo e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi digjital, turizmi dhe siguria.

Në lidhje me integrimin europian të Shqipërisë dhe rolin e Greqisë, veçanërisht në vitin 2027 kur Athina do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian, Spiropali u shpreh se Tirana pret që Greqia të përdorë peshën e saj politike për të mbajtur Ballkanin Perëndimor në qendër të agjendës së zgjerimit.

“Ne besojmë se Ballkani Perëndimor duhet të trajtohet si një investim strategjik në stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës, jo si një periferi”, nënvizoi ajo.

Ministrja theksoi se integrimi europian i rajonit do të ishte përfitim edhe për vetë Greqinë, duke krijuar korridore të reja bashkëpunimi në tregti, energji, transport dhe lidhje digjitale, nga Greqia përmes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit drejt zemrës së Evropës.

Në intervistë, Spiropali u ndal edhe te rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në mbështetje të diasporës shqiptare në Greqi, përfshirë lehtësimin e procedurave administrative, zgjerimin e mundësive arsimore dhe kulturore për fëmijët e emigrantëve, si dhe futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat greke.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se të dyja qeveritë po punojnë intensivisht për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe për sigurimet shoqërore, e cila do të garantojë njohjen e pensioneve dhe kontributeve për qytetarët shqiptarë dhe grekë që kanë punuar në të dy vendet.