
Aktivisti Adriatik Lapaj ka vijuar edhe sot protestën përballë Kryeministrisë, ku që prej dy ditësh ka ngritur një çadër, pavarësisht kundërshtimit të forcave policore për vendosjen e saj. Në një lidhje live për emisionin në News24, ai tha se protesta nisi si nismë individuale, duke theksuar se ndryshimi buron nga vullneti i individit.
“Themeli i fortë i një demokracie është individi. Nuk kam besuar te protestat e mëdha, e nisa vetëm. Çdo njeri që e ndjen, të bashkohet në formën e vet”, u shpreh ai, duke theksuar se protesta zhvillohet çdo ditë në orën 17:00, ku pjesëmarrja po rritet gradualisht. Sipas tij, gjatë natës kanë qëndruar deri në 12 persona pa ndërprerje.
Lapaj foli edhe për ndërhyrjen e policisë lidhur me vendosjen e çadrës, të cilën ai e konsideron një e drejtë demokratike.
“Vendosja e tendave është një gjë demokratike, si në SHBA. Por kjo vetëm demokraci nuk është. Shpërfillja ndaj qytetarëve është e tmerrshme”, deklaroi ai, duke shtuar se institucionet nuk japin përgjigje dhe nuk mbajnë përgjegjësi.
Aktivisti renditi një sërë aferash korruptive sipas tij të lidhura me mazhorancën, duke theksuar se skandalet që kanë përfshirë ministra dhe zyrtarë të lartë “duhej të kishin sjellë rrotacion politik”, e jo fitore në zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki.
“Korrupsioni është galopant. Nuk ka logjikë që pasi kapesh duke vjedhur, të bëhesh më i fortë.” – u shpreh ai, duke shtuar se mungesat e sigurisë në projekte publike, si tuneli i Llogarasë apo rreziku në Qafë-Plloçë, përbëjnë jo vetëm abuzime financiare, por edhe rrezikim jete.
Lapaj konfirmoi se protesta nuk ka afat dhe se do të vazhdojë deri kur “të lejojë limiti biologjik”.
Ai shtoi se nëse pjesëmarrja rritet dhe qytetarët “imponojnë dorëheqjen e kryeministrit”, atëherë protesta do të ketë arritur qëllimin e saj.