Vendosni fjalën kyçe....

Japonia paralajmëron për “mega-tërmet” pas lëkundjes 7.5 ballë në Aomori



Japonia ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për rrezik të shtuar të një mega-tërmeti, pasi një tërmet me magnitudë 7.5goditi brigjet lindore të prefekturës Aomori, në veri të ishullit kryesor Honshu, përcjell Guardian.

Lëkundja shkaktoi 34 të lënduar të lehtë dhe dëme të kufizuara në rrugë dhe ndërtesa, ndërsa autoritetet theksuan se paralajmërimi nuk është një parashikim, por një masë paraprake sigurie. Sipas tyre, probabiliteti që të godasë një tërmet me magnitudë 8 apo më të madh është rreth 1%, por rreziku mbetet i rritur për javën e ardhshme.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se lëkundja e fuqishme e së hënës ka rritur potencialin për një tërmet shumë të fortë përgjatë rajoneve Hokkaido dhe Sanriku, zona pranë dy kanaleve të mëdha tektonike – Japan Trench dhe Chishima Trench – të cilat kanë prodhuar shumë prej tërmeteve më shkatërruese në historinë e Japonisë.

Ekspertët kujtojnë se tërmeti i vitit 2011, me magnitudë 9.0, që shkaktoi cunamin vdekjeprurës dhe dëmtimin e centralit Fukushima Daiichi, erdhi vetëm dy ditë pas një lëkundjeje 7.3 ballë në të njëjtën zonë.

Sipas vlerësimit të qeverisë japoneze, një tjetër tërmet i fuqishëm në zonën Hokkaido–Sanriku mund të shkaktojë:

  • Cunami deri në 30 metra të lartë

  • Deri në 199 mijë viktima

  • 220 mijë ndërtesa të shkatërruara

  • Dëme ekonomike deri në 31 trilionë jenë (rreth 198 miliardë dollarë)

Paralajmërimi aktual mbulon 182 bashki nga Hokkaido deri në Chiba.

Zyrtarët theksojnë se nuk ka asnjë parashikim për një mega-tërmet në një vend apo orar të caktuar. Por qytetarët këshillohen të jenë të përgatitur:

  • Mbajtja e një çantë emergjence me ushqime e mjete për disa ditë

  • Vendosja e kaskave dhe këpucëve pranë shtratit

  • Fjetja me rroba ditore, për të tentuar arratisjen menjëherë

  • Fiksimi i mobiljeve në mur

  • Diskutimi paraprak i rrugëve të evakuimit me familjen

Qytete si Iwaki në Fukushima kanë kërkuar nga banorët të regjistrohen në sistemet e alarmit emergjent, ndërsa zyrtarët në Oarai të Ibaraki kanë testuar pajisjet e komunikimit.

Një paralajmërim i ngjashëm në 2024 shkaktoi panik, me qytetarë që boshatisnin raftet e supermarketeve dhe institucione që anulonin evente, ndonëse Tokio nuk ishte pjesë e zonës së rrezikut.

Autoritetet këtë herë po përpiqen të shmangin kaosin, duke theksuar se paralajmërimi synon vetëm rritjen e gatishmërisëdhe jo nxitjen e frikës.