Vendosni fjalën kyçe....

Mburoja mbrojtëse e Çernobilit ka humbur funksionin kryesor pas një sulmi me dron



Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka njoftuar se mburoja gjigante e vendosur mbi reaktorin e dëmtuar të Çernobilit nuk mund të kryejë më funksionin e saj primar, pasi është dëmtuar nga një sulm me dron i ndodhur më herët gjatë këtij viti. Sipas inspektorëve, struktura e ndërtuar pas katastrofës së vitit 1986 ka humbur aftësinë e izolimit, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e menjëhershme, përcjell REL.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për sulmin, pretendim që Moska e ka mohuar. Agjencia e OKB-së ka theksuar se riparimet janë thelbësore për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të strehës, ndërsa nënvizon se një pjesë e dëmeve tashmë është adresuar.

Eksperti i ambientit Jim Smith ka deklaruar për BBC-në se megjithëse mburoja ka humbur funksionin e saj kryesor, nuk ka arsye për panik, pasi rreziku mbetet i ulët. Ai ka shpjeguar se pluhuri i kontaminuar vazhdon të mbrohet nga sarkofagu i trashë prej betoni i ndërtuar menjëherë pas shpërthimit dhe që është i mbuluar nga struktura shtesë e mëvonshme.

Pas shpërthimit të vitit 1986, që çoi në lirimin e sasive të mëdha të materialit radioaktiv dhe në një emergjencë shëndetësore në pjesë të gjera të Evropës, Bashkimi Sovjetik ndërtoi mbi reaktor një sarkofag të përkohshëm me jetëgjatësi rreth 30-vjeçare. Për të garantuar izolimin në afatin e gjatë, mbi të u ngrit mburoja aktuale prej çeliku, e projektuar të zgjasë deri në një shekull.

Agjencia e OKB-së ka kryer një vlerësim të ri në qendër javën e kaluar, duke konstatuar dëme të rënda në pjesën e jashtme të strukturës shkaktuar nga sulmi, i cili shkaktoi edhe zjarr. Inspektorët kanë bërë të ditur se nuk ka dëmtime të pariparueshme në skeletin mbështetës apo në sistemet e monitorimit, ndërsa disa riparime emergjente janë kryer në çati.

Shefi i agjencisë, Rafael Grossi, ka theksuar se restaurimi në kohë është thelbësor për të garantuar sigurinë bërthamore në periudhën afatgjatë. Sipas tij, vlerësimet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës po vazhdojnë, në një kohë kur vendi përballet me sulme të vazhdueshme nga Rusia.

Ndërkohë, gjatë natës Rusia ka kryer sulme ajrore në qytetin industrial të Kremençukut, ndërsa agjencia ka inspektuar edhe nënstacione elektrike të rëndësishme për furnizimin dhe sigurinë e centraleve bërthamore. Grossi ka nënvizuar se këto nënstacione janë jetike për ftohjen e reaktorëve dhe për shpërndarjen e energjisë në familje e industri.

Lufta në Ukrainë vazhdon prej 24 shkurtit 2022, kur Rusia nisi atë që e quan “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës. Shtetet perëndimore janë përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Moskës, ndërsa konflikti ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona njerëz.