Vendosni fjalën kyçe....

Shehu akuzon presidentin Begaj për miratimin “në heshtje” të ligjit mbi identitetin gjinor



Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ashpër ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar se ka lejuar “në heshtje” hyrjen në fuqi të një ligji që, sipas tij, cenon parime biologjike dhe sociale të lidhura me gjininë dhe familjen.

Në një postim në Facebook, Shehu pretendon se Presidenti ka “shkelur biologjinë” dhe ka pranuar “deformimin e jetës dhe familjes”, duke ngritur dyshime mbi, siç shprehet ai, “ekzistencën e shoqërisë sonë”.

Deputeti deklaron se kundërshton konceptin e identitetit gjinor përtej gjinisë biologjike, duke theksuar se, sipas tij, ekzistojnë vetëm dy gjini të përcaktuara në lindje: mashkull dhe femër. Ai i referohet edhe politikave të ndjekura në disa vende perëndimore, përfshirë një urdhër federal të ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e konsideruar atë si standard mbi të cilin duhet të bazohet edhe legjislacioni shqiptar.

Shehu shprehet se ligji i ri, të cilin e cilëson si pjesë të një “woke society”, mund të sjellë pasoja në administratën shtetërore, sistemin shëndetësor dhe strukturën e familjes. Sipas tij, ndryshimet ligjore mund të hapin rrugën për njohjen e familjeve LGBT dhe adoptimin e fëmijëve nga çiftet e të njëjtit seks.

Ai paralajmëron se një realitet i tillë do të krijonte konfuzion në praktikën mjekësore dhe në shoqëri, duke renditur skenarë që i konsideron “absurdë” dhe në kundërshtim me vlerat tradicionale.