
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar sërishmi kundër projektligjit të qeverisë për të ashtuquajturën “Paqe Fiskale”, duke e cilësuar nismën si amnistinë më të rrezikshme që ka parë shteti shqiptar në këtë dekadë.
Sipas Tabakut, ky projektligj nuk ka asgjë të përbashkët me reformën fiskale apo ndihmën për biznesin e ndershëm, por është një “mekanizëm i mirëfilltë politik për të pastruar para të pista, të ardhura nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i kupolës së pushtetit.”
Në reagimin e saj publik, ajo thekson se:
• Paratë e krimit dhe të korrupsionit do të hyjnë të legalizuara në ekonomi me një tatim qesharak prej 5% — më pak se paguan qytetari i thjeshtë për çdo blerje të përditshme.
• Administrata Tatimore humbet të drejtën për të kontrolluar, duke e bërë të pamundur çdo hetim mbi burimin e pasurive.
• Lista e përfituesve mbahet e fshehtë, duke shkelur ligjin dhe duke krijuar kushte për pazare politike, klientelizëm dhe mbrojtje të interesave të errëta.
• Politikanët, zyrtarët dhe miqtë e qeverisë nuk përjashtohen — përkundrazi, sipas saj, janë përfituesit e parë potencialë të kësaj skeme.
Tabaku e quan këtë nismë “një lavatriçe shtetërore që qeveria po e shet si reformë,” ndërsa në thelb ka një funksion të vetëm: të legalizojë pasuritë e paligjshme dhe të shkatërrojë çdo nocion të konkurrencës së ndershme në treg.
Ajo kujtoi se skema të ngjashme të amnistisë fiskale janë refuzuar publikisht nga BE dhe FMN, ndërsa vetë qeveria kishte premtuar se nuk do t’i rikthente më. “Për herë të tretë, po tentativa për të krijuar një korridor të ligjshëm për paratë e paligjshme. Shqipëria nuk mund të qeveriset si një laborator i riciklimit të pasurisë kriminale,” shkruan në Facebook deputetja e PD.
Tabaku paralajmëron se “Paqja Fiskale” rrezikon:
• procesin e integrimit europian,
• ekonominë e formalizuar,
• besimin tek institucionet,
• dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në përfundim, ajo u bëri thirrje qytetarëve, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë të mos e lejojnë qeverinë të miratojë një mekanizëm që “vendos Shqipërinë në një rrugë të rrezikshme, ku krimi përfiton dhe ndershmëria ndëshkohet.”