Vendosni fjalën kyçe....

Policia njofton hapjen e konkurrimit për Drejtorin e Rikuperimit të Aseteve


Policia e Shtetit ka njoftuar hapjen e konkurrimit për pozicionin e lartë drejtues “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në kuadër të zbatimit të Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit. Urdhri është firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtues Madhor Ilir Proda.

Sipas njoftimit, faza e aplikimeve nis më 5 dhjetor 2025, në orën 08:00 dhe përfundon më 19 dhjetor 2025, në orën 14:00.

Të drejtë aplikimi kanë punonjësit e Policisë së Shtetit që mbajnë një nga gradat e rolit të mesëm drejtues dhe që nuk kanë konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Njoftimi:

Hapet konkurrimi për pozicionin Drejtor i DRA

Në zbatim të Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka nxjerrë urdhrin për thirrjen për pjesëmarrje në konkurrim, për përzgjedhjen e kandidatit të përshtatshëm që plotëson kriteret ligjore për pozicionin “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në Policinë e Shtetit.

Faza e aplikimeve është e hapur në periudhën 05.12.2025 ora 08:00 deri më datën 19.12.2025 ora 14:00.

Ka të drejtë të aplikojë për pozicionin “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në Policinë e Shtetit, punonjësi i policisë, i cili mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues dhe që nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.

Kandidati duhet të paraqesë së bashku me kërkesën për shprehjen e interesit, çdo dokumentacion tjetër provues për çdo komponent vlerësimi të përcaktuar në këtë urdhër, pranë sekretarisë së Drejtorisë së Burimeve Njerëzore. Mosparaqitja e dokumentacionit provues përbën shkak për mosvlerësimin e kandidatit për komponentin përkatës.

Çdo punonjës që shpreh interesin për të konkurruar për pozicionin “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojë pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (në vijim KVA), në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dokumentacionin që është pasqyruar në webin e brendshëm të Policisë së Shtetit, ku kanë akses të gjithë punonjësit e Policisë për t’u njohur.

Policia e Shtetit fton punonjësit e saj që mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të aplikojnë dhe të konkurrojnë për këtë pozicion, duke i garantuar për një proces vlerësimi të drejtë, transparent dhe profesional.