
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka kritikuar ashpër mungesën e reagimit qytetar ndaj gjendjes politike dhe ekonomike në vend. Duke folur për situatën aktuale, ai solli si shembull protestat masive në Bullgari, ku populli u ngrit në këmbë për çështjen e taksave.
“Shohim çfarë ndodh në Bullgari, kudo… edhe në vende si Bangladeshi ku demokracinë nuk e kanë as si term në shkolla. Në Bullgari, për taksat, u ngrit në këmbë i gjithë populli,” tha Paloka.
Ai theksoi se shqiptarët nuk duhet të presin thirrjen e Sali Berishës për të protestuar: “Nuk duhet t’i thërrasë më Berisha shqiptarët, ata duhet të thërrasin Berishën.”
Sipas tij, opozita është thuajse e çaktivizuar dhe parlamenti “nuk ekziston më”, ndërsa qytetarët reagojnë vetëm “kur të vijë ekskavatori t’u shembë shtëpinë”.
Paloka shtoi se interesimi i njerëzve është shumë më i madh sesa pjesëmarrja në protesta: “Sikur vetëm ata që më kanë shkruar në Facebook të dilnin, do të ishim 10 herë më shumë në protestë.”