
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, kanë ngritur shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë dhe lirive në Shqipëri gjatë fjalës së tyre në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU), të mbajtur në Uashington.
Gjatë ndërhyrjes së saj, Vokshi përshkroi një tabllo të zymtë të situatës politike në vend, duke theksuar se Shqipëria është zhytur në atë që ajo e cilësoi si autokraci elektorale.
Ajo u shpreh se vendi po përballet me manipulim sistematik të zgjedhjeve, kapje të institucioneve nga një qeveri e përqendruar në një individ të vetëm, si dhe shtypje të medias dhe opozitës.
Deputetja paralajmëroi se qeverisja e tanishme e ka shndërruar Shqipërinë në një terren të favorshëm për aktivitetet e karteleve të drogës dhe për pastrimin e parave, çka sipas saj paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për vendet europiane.
Ajo theksoi se disa zyrtarë në Bruksel kanë krijuar perceptime të gabuara ndaj opozitës, duke u shprehur se “disa në Bruksel na shohin si anti-europianë vetëm sepse punësuam në fushatë menaxherin e Trumpit” — tha Vokshi, duke e cilësuar këtë qëndrim si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Nga ana tjetër, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ngriti shqetësime të forta për sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se reforma e mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë nuk ka sjellë pavarësinë e premtuar.
Ai u shpreh se “Shqipëria ndodhet sot në pikën më kritike të historisë së saj pluraliste. Ajo që dikur ishte një demokraci aspirante europiane, sot lëviz drejt autoritarizmit me një shpejtësi të frikshme” — tha Mediu.
Ai shtoi se “nuk bëhet më fjalë për debat politik… bëhet fjalë për mbijetesën e vetë demokracisë. Në këtë realitet mbytës autoritar, opozita jo thjesht sfidohet: ajo përndiqet. E drejta e votës jo vetëm shkelet: ajo vidhet. Sistemi i drejtësisë jo vetëm manipulohet: ai përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve” — deklaroi ai.
Mediu paralajmëroi se vendi po rrezikon të ndjekë modelin e Gjeorgjisë, duke u larguar nga rendi perëndimor i lirive dhe të drejtave.
Ai theksoi se rezoluta e prezantuar në IDU është, siç tha ai, “jo thjesht e nevojshme, por urgjente”.