
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për ngritjen e 20 qendrave të reja për emigrantët në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, duke e cilësuar këtë një veprim të marrë “pa transparencë dhe pa asnjë garanci sigurie”.
Në një deklaratë publikuar në ‘Facebook’, Balliu paralajmëroi se vendimi rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur, sipas tij, rendi publik është në krizë dhe policia “nuk garanton dot sigurinë elementare”.
“Të hapësh kampe me qindra persona nga zona të konfliktit, pa konsultim me qytetarët dhe pa plan sigurie, është papërgjegjshmëri e rëndë. Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një korridor të pakontrolluar migrator,” theksoi ai.
Balliu akuzoi qeverinë se vendimin e ka marrë në fshehtësi të plotë, duke anashkaluar detyrimin për informim publik dhe konsultim me komunitetet ku parashikohen qendrat.
Në cilësinë e zv.kryetarit të Komisionit të Sigurisë, ai bëri të ditur se i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme për informacione të detajuara mbi:
— masat e sigurisë,
— kapacitetet e policisë,
— arsyetimin e projektit,
— dhe koston e tij.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me sigurinë e tyre dhe pse vendime të tilla merren në mënyrë të fshehtë,” tha Balliu, duke theksuar se siguria kombëtare duhet të jetë “prioritet absolut”.
Sipas tij, qeveria po e ekspozon vendin ndaj rreziqeve të panevojshme, ndërsa institucionet e rendit mbeten të mbingarkuara dhe të politizuara.
Balliu paralajmëroi se Shqipëria “nuk duhet të bëhet vend depozitimi për emigrantët e paligjshëm të botës”, duke kërkuar transparencë të plotë dhe rishikim të menjëhershëm të planit qeveritar.