Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi kërkon Ramën në Kuvend: Të vijë të japë llogari, pse nuk e shkarkon Ballukun


Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi zhvillimin e një interpelance me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut, por kërkesa u rrëzua me 74 vota kundër dhe 17 pro.

Bardhi akuzoi Ramën se “i shmanget llogaridhënies”, ndërsa e cilësoi ndërhyrje të paprecedentë faktin që kryeministri i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut.

“Çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe flet me vete 3 herë në ditë për këtë çështje, del dhe mbron të pandehurën ministre të paktën 3 herë në ditë me videoselfie apo postime në tëitter si një mjet presioni ndaj Kushtetueses.

Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, i fshihet deputetëve dhe llogaridhënies. Në këtë rast fshihet pas një shkresë tuajën që thoni s’mund të shqyrtoni shkresën e Gjykatës Kushtetuese.

Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK, pse është bërë kryeministri i parë në historinë e botës që ndërhyn në një çështje në hetim, ka kërkuar ne emër të Këshillit shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vendosjen e pezullimit të detyrës.

Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin në zyrë avokatie ndaj një të pandehure. Pse do duhet kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë. Ai duhej të ishte këtu për të dhënë të pavërtetat e tij.

Ai vetë e pranon përmes kërkesës në Kushtetuese që është bashkëfajtor me ballukun, duhej të ishte marrë bashkë i pandehur. Kërkesën e ka bërë për veten e vet, sepse urdhëruesi i aferës së tenderit të Llogarasë është Rama.

Ka paditur një vendim individual për të zhbërë një masë individuale sigurimi. Pse ka ndërhyrë në një çështje të drejtësisë, pse nuk e shkarkon Ballukun?

Kuvendi mund të këtë vullnet, por kërkohet procedura përkatëse dhe propozimi i kryeministrit. Të vijë të japë llogari pse e ka të domosdoshme për të mbajtur të pandehur një zv.kryeministre”, tha Bardhi.