
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje Ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe bashkëpunimi strategjik me Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor. Presidentja Vjosa Osmani, ritheksoi rëndësinë që këto zgjedhje të mbahen sipas standardeve më të larta demokratike, ku Kosova tashmë është shembull, shkruan RTK.
Po ashtu, u diskutua për hapat konkret drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe tregtisë, siç ishte dakorduar gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të këtij viti.
Presidentja Osmani shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike për Kosovën dhe qytetarët e saj.