Vendosni fjalën kyçe....

Kili miraton ligjin që ndalon përdorimin e telefonave në shkolla nga viti 2026



Parlamenti i Kilit miratoi të martën një ligj që ndalon përdorimin e telefonave inteligjentë në shkollat e vendit. Projektligji u mbështet nga shumica dërrmuese e Dhomës së Deputetëve dhe tani i kalon presidentit Gabriel Boric për miratim final. Ligji pritet të hyjë në fuqi në mars 2026, ndërsa Boric tashmë ka shprehur mbështetje për politikën e re, përcjell DW.

Ministri i Arsimit, Nicolas Cataldo, tha se shkollat në Kili “janë të pushtuara nga telefonat”, të cilët i quajti “një murtajë që përbën një nga pandemitë kryesore që prekin fëmijët dhe të rinjtë”.

Deputeti konservator Diego Schalper, një nga autorët e projektligjit, e përshëndeti miratimin, duke theksuar se përdorimi i tepruar i telefonit tek fëmijët lidhet me varësi online dhe “pengon procesin edukativ në klasë”.

Kili i bashkohet kështu vendeve të tjera që kanë vendosur kufizime për telefonat në shkolla. Sipas UNESCO-s, rreth 40% e shkollave në botë kishin miratuar ndalime ose kufizime të ngjashme deri në vitin 2024, një rritje nga 30% një vit më parë. Midis vendeve që kanë ndërmarrë masa të tilla janë Brazili, Finlanda, Koreja e Jugut, Holanda, Italia dhe Franca.

Ligji i ri synon të përmirësojë “përqendrimin, performancën, jetën komunitare dhe shëndetin emocional” të nxënësve, tha deputetja Marcia Raphael.

Sipas legjislacionit, nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nuk do t’u lejohet të mbajnë telefona në ambientet e mësimdhënies. Përjashtime do të bëhen vetëm për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, në raste emergjente, ose për fëmijët që kanë gjendje shëndetësore që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm përmes një pajisjeje celulare. Përjashtimet, përveç emergjencave, do të kërkojnë paraqitjen e një certifikate nga autoriteti përkatës.

Projektligji është rezultat i viteve të lobimit nga prindër dhe mësues që argumentonin se përdorimi i telefonave pengon të nxënit dhe zhvillimin emocional të nxënësve. Një studim i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregoi se mbi gjysma e nxënësve kilianë raportuan se pajisjet digjitale po prishnin procesin e tyre të të mësuarit.

“Po avancojmë drejt një ndryshimi kulturor për fëmijët dhe adoleshentët të cilët sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë të shohin fytyrat e njëri-tjetrit, të socializojnë gjatë pushimeve dhe të rikthejnë përqendrimin për të përmirësuar të nxënit”, tha ministri Cataldo.