
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo tha se faza e ardhshme e përballimit të gjendjes së krijuar nga stina e dimrit kërkon më shumë bashkërendim mes institucioneve, forcim të kapaciteteve të bashkive, gjë që do mundësojë një menaxhim sa më të mirë të problemeve. Demo theksoi se ato do kenë më shumë fleksibilitet financiar e mjete efikase për të ndërhyrë në territor.
Ai ishte pjesë e tryezës me ministren e Brendshme Koçiu, atë të Mbrojtjes Vëngu dhe prefektët e 12 qarqeve.
“Po u japim më shumë fleksibilitet financiar bashkive, që ato të kenë mundësinë të trajtojnë më mirë burimet njerëzore dhe të kryejnë ndërhyrjet e nevojshme në territor sa më shpejt dhe me sa më pak burokraci,” tha Demo.
Ai vuri theksin edhe te reformat në proces, duke nënvizuar se qeveria po ndërmerr disa ndryshime ligjore për të rritur kontrollin mbi territorin dhe për të forcuar rolin e strukturave vendore në reagimin ndaj emergjencave.

“Po modernizojmë mënyrën e funksionimit të ligjit të prefektit, policisë bashkiake dhe inspektoriateve të territorit. Këto reforma do të sigurojnë jo vetëm më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë efikasitet dhe llogaridhënie,” shtoi Demo.
“Bashkë me ministren @albanakociu , ministrin @pirro_vengu dhe prefektët e 12 qarqeve, koordinuam inventarizimin e dëmeve nga reshjet intensive të ditëve të fundit, për të garantuar mbështetje të menjëhershme për çdo qytetar të prekur. Teksa jemi në një periudhë sfiduese në aspektin e vështirësive për shkak të natyrës, pushteti vendor ka një rol kyç në menaxhimin e emergjencave. Po u japim bashkive më shumë fleksibilitet financiar dhe po forcojmë kapacitetet e tyre, që reagimi në territor të jetë më i shpejtë, më profesional dhe pa burokraci.” – shkruan Demo në Facebook.
