
Numri i personave të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, është rritur në tre.
Pas ndalimit të 32-vjeçarit Xhino Ago, ish-ortakut të Mëhallës, dhe Kujtim Pishës, rojes së karburantit ku ndodhi ngjarja, policia ka vënë në pranga edhe Nevzat Spahon, i dyshuar si pjesëmarrës në krim. Roli i tij specifik në ngjarjen e mbrëmjes së 30 nëntorit ende nuk është sqaruar.
29-vjeçari nga Përrenjasi akuzohet për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Ai ka një të kaluar me precedentë penalë, përfshirë tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me kanosje për përfitim pasurie dhe vjedhje. Në vitin 2022, është dënuar nga Gjykata e Elbasanit pasi dhunoi dhe kërcënoi me armë një person, duke i kërkuar 3 mijë euro. Në vitin 2016 ai është përfshirë në një konflikt me thika, ku u plagosën dy persona.
Një ditë më parë, policia njoftoi arrestimin e Xhino Agos për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, si dhe të Kujtim Pishës për moskallëzim krimi.
Ndërkohë, në kërkim vijojnë dy autorët e dyshuar, Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç. Automjeti i përdorur në atentat rezulton në pronësi të Agos, i cili ia kishte lënë në përdorim Aranit. Ky i fundit ndodhej në “arrest shtëpie” për një çështje tjetër penale.
Mëhalla dhe Ago kanë qenë më herët ortakë në biznes. Në mars 2023, Mëhalla i shiti Agos kompaninë “Albania Car Agency”, që ofron shërbime qiraje automjetesh dhe taksish.
Më 24 prill 2025, sipas të dhënave të QKB-së, Mondi Mëhalla ka themeluar kompaninë “El Taxi shpk”, me të njëjtin profil aktiviteti. Kjo markë biznesi ishte promovuar më herët edhe nga Ago në rrjetet sociale, megjithëse ai nuk figuronte më ortak ligjërisht.
Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit, menjëherë pasi doli nga një zyrë në karburantin e tij “Xhaxhi Oil” dhe hyri në automjet.
Njëri nga atentatorët zbriti nga një makinë “Audi”, iu afrua dhe qëlloi nga afër. Pas krimit, dy autorët e dyshuar u larguan drejt Librazhdit, ku dogjën automjetin në zonën e Mirakës. Brenda mjetit të djegur u gjet edhe pistoleta “Beretta” e përdorur në ekzekutim.