
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, u zhvillua një debat i tensionuar mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Agron Shehajt.
Shehaj kritikoi mënyrën e shpërndarjes së fondeve për fermerët, duke thënë se paratë vidhen dhe se nëse 190 milionë euro të harxhuara për një tender do të ishin shpenzuar ndryshe, një pjesë mund t’u shkonte fermerëve. Ai gjithashtu akuzoi komisionin për mungesë transparence dhe teatro politik.
Braçe reagoi ashpër, duke përplasur tavolinën dhe duke thënë se Shehaj tenton të krijojë situata për protagonizëm dhe fyerje ndaj anëtarëve të komisionit.
Debati u ndërpre nga kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, dhe rifilloi pas disa minutash, me Braçen që theksoi se tensionet e tilla janë të panevojshme dhe nuk sjellin asnjë përfitim.
Shehaj: Nuk e kuptoj pse i bëjmë gjërat e vështira kot. Pse kushton më pak të importosh produktin jashtë? Sepse shtetet e tjera subvencionojnë fermerët. U japin para, nuk e kanë fajin ata.
Këtu paratë vidhen. Nëse 190 mln euro nuk do ishin harxhuar, por do të ishin shpenzuar 150 për tunelin e Llogarasë, 50 mln euro do të kishit mundësi t’ua jepnit fermerëve. Dhe këtu bëhet fjalë për vetëm një tender. Paratë që mund t’u shkojnë fermerëve ju si mazhorancë i vidhni, mos bëni teatër. Diskutime të tilla bëjini në grupin parlamentar të PS.
Zonja kryetare më ndërpreve fjalën, mbani mungesat e thoni kush do flasë më shumë. Mos e bëni këtë komision më shumë qesharak seç është.
Braçe: (Përplas tavolinën) Nuk mund të vish këtu e të na fyesh ne. Qepe të them.
Në këtë moment kryetarja e komisionit Milva Ekonomi ka ndërprerë mbledhjen. Pas rifillimit, Braçe ka folur sërish ku ka sqaruar se pse reagoi në atë mënyrë, Sipas tij, Shehaj tenton të krijojë një situatë ku fyhen anëtarët e komisionit vetëm që të krijojë 2 minuta protagonizëm.
Braçe: E dyta herë që jen një situatë e tillë nga deputeti Shehaj, në çdo gërmë të tij ka fyerje për të ftuarit apo anëtarët e komisionit. Nuk mundet që të fyhemi, unë nuk kam bërë teatër, veetëm kam sjellë argumente dhe llogari. Kjo nuk të bën as qesharak, as kopësht, asgjë. Të vish këtu vetëm për të prodhuar një sekuencë 2 minuta për të nxjerrë veten ideolog të madh dhe te ndryshëm nga dy forca politike që po i marrkan frymën Shqipërsë, nuk fiton diçka më tepër.
Që nga fillimi i mbledhjes jemi marrë me detaje teknike dhe politikat ku ato mbështeten.