
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se hapësira ajrore mbi dhe përreth Venezuelës duhet të konsiderohet “e mbyllur në tërësi”, por nuk dha detaje të mëtejshme ndërsa Uashingtoni po shton presionin mbi qeverinë e Presidentit Nicolas Maduro.
“Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, tregtarët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ju lutemi merrni në konsideratë që hapësirën ajrore sipër dhe përreth venezuelës të mbullur në tërësi”, tha Trump në një postim në Truth Social.
Ministria e Komunikacionit e Venezuelës, e cila merret me të gjitha kërkesat e shtypit për qeverinë, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi postimin e Trump.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Sulmet amerikane kundër anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe kanë filluar prej muajsh, së bashku me një forcim ushtarak amerikan në rajon, dhe Trump ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë.
Presidenti u tha anëtarëve të shërbimit ushtarak këtë javë se SHBA-të do të fillojnë “shumë shpejt” operacionet tokësore për të ndaluar trafikantët e dyshuar të drogës nga Venezuela.
Javën e kaluar, rregullatori i aviacionit amerikan paralajmëroi linjat ajrore kryesore për një “situatë potencialisht të rrezikshme” kur fluturojnë mbi Venezuelë për shkak të një “situate të përkeqësuar sigurie dhe aktivitetit të shtuar ushtarak në ose përreth” vendit të Amerikës së Jugut, shkruan Reuters.
Venezuela u hoqi të drejtat e operimit gjashtë linjave ajrore të mëdha ndërkombëtare që kishin pezulluar fluturimet drejt vendit pas paralajmërimit të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së.
Administrata Trump e ka akuzuar Maduron për përfshirje në trafikun e drogës, një akuzë që ai e ka mohuar.
Maduro, në pushtet që nga viti 2013, ka thënë se Trump po kërkon ta rrëzojë atë dhe se qytetarët dhe ushtria venezueliane do t’i rezistojnë çdo përpjekjeje të tillë.