Vendosni fjalën kyçe....

Krerët e shtetit mbajnë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve për 81-vjetorin e Çlirimit


Në kuadër të 81-vjeçarit të Çlirimit të Shqipërisë, krerët e shtetit zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, kryetarja e komanduar e Tiranës, Anuela Ristani dhe veteranë nderuan dëshmorët, ndërsa vendosën edhe kurora me lule në Memorialin Nëna Shqipëri.

Kryeministri uroi më herë përvjetorin e çlirimit përmes një postimi në rrjete sociale. “Me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”.

Politika e feston e ndarë 29 nëntorin pasi debati mbi largimin e gjermanit të fundit në vitin1944 është ende i hapur. Ndryshe nga e majta, e djathta festoon 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit.

Shqipëria u çlirua nga forcat fashiste dhe naziste më 28 nëntor 1944, pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi që nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, vendi ra nën kontrollin e gjermanëve.

Lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944. Tirana u çlirua më 17 nëntor të atij viti, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë vendin. Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohej kryesisht me forcat e veta, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u ndihmuan nga Ushtria e Kuqe.